Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn ka prerë shpresat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për të hapur negociata në qershor. Gjatë konferencës nga Luksenburgu, Hahn tha se Gjermania ka kërkuar më shumë kohë për shqyrtimin e raportit të Komisionit Europian, dhe me gjasë vendimmarrja do të shtyhet për muajin tetor. Vendet skeptike si Franca, Holanda, Danimarka por edhe Gjermania, kanë kërkuar më shumë kohë thotë Hahn, ndërsa shton se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, i kanë përmbushur kushtet.
“Shqipëria ka mbetur pas në procesin e integrimit, rezultate konkrete do të ketë në muajin tetor. Gjermania ka thënë jo. Ka pasur diskutime për shtyrjen edhe nga Franca, por edhe vende të tjera si Holanda dhe Danimarka. Janë shtete që kanë kërkuar që çështja e negociatave të lidhet me arritjet personale të shteteve. Nuk ka një vendim pozitiv për hapjen e negociatave në këtë kohë, por shpresojmë që në tetor të kemi një vendim përfundimtar të Këshillit të Europës. Shpresoj që vendet e Ballkanit Perëndimor të integrohen në BE.” ka thënë Hahn
Hahn deklaroi se Shqipëria ka bërë progres por koha për të marrë një vendim nuk ka qenë e mjaftueshme dhe se kriza e brendshme e vendit ka njëfarë ndikimi në vendimmarrjen e vendeve skeptike.
“Sot në Shqipëri mund të shihni krizën politike dhe mund të shqetësoheni në mënyrë të veçantë lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve vendore, por duhet të bëjmë një dallim me atë që vendosur më herët për Shqipërinë dhe vendimit unanim për 5 prioritetet kyçe të zbatuar nga ky vend, sidomos në Reformën në drejtësi. Nuk mund ta fajësojmë Shqipërinë se prej kësaj reforme janë pezulluar gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. Është pikërisht ajo që ne kemi kërkuar. Nuk mund ta injorojmë krizën e brendshme e cila ka pasur njëfarë ndikimi te disa vende për vendimin e ditës së sotme, por shpresojmë se deri në Tetor do ketë një ndryshim. Kur flasim për zgjerimin është një proces që zgjat në kohë, çelja e negociatave nuk do të thotë anëtarësim i menjëhershëm” – tha Hahn
I pyetur nëse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut mund të vlerësoheshin veçmas për hapjen e negociatave, Hahn tha se vendimi për këto dy vende do jepet në grup. “Deri tani nuk është ndarë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut dhe vendimi për ta do duhet të merret në grup. Të dy vendet i kanë plotësuar kushtet. Institucionet duan pak më shumë kohë për negociatat si për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.