Bundestagu gjerman pritet të votojë pro autorizimit të qeverisë Merkel për t’i hapur negociatat Shqipërisë me Bashkimin Europian, pasi grupi më i madh parlamentar, i qeverisë gjermane votoi të martën në 24 shtator Rezolutën, që rekomandon hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE. Gjermania, si mbështetësja kryesore dhe udhëheqëse e procesit të integrimit të Shqipërisë, vendosi 9 kushte. Realstory.al, paralajmëroi se janë kushte për kapitujt, pra për fazën e takimeve ndërministeriale të qeverisë shqiptare me Komisionin Europian. Tashmë për këtë, vjen dhe konfirmimi nga Bundestagu në Gjermani. Ndonëse janë 9 kushte në total, CDU/CSU, kërkon që Shqipëria të plotësojë të paktën tre nga kushtet, për të mbajtur tryezën e parë të bisedimeve me BE për integrimin, pra PAS hapjes së negociatave.
Ngritja e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe miratimi i Reformës Zgjedhore. Këto janë tre kushtet e para që i japin mundësi Shqipërisë që në fillim të vitit 2020, të ulet për bisedime me vendet anëtare të BE për të diskutuar kapitujt. “Në parim, Qeveria Federale duhet të aprovojë negociatat e pranimit me Shqipërinë në Këshillin Evropian më 17 dhe 18 tetor, vetëm me kushtin që konferenca e parë e pranimit të mos zhvillohet derisa Shqipëria të ketë ngritur Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë dhe miratimi i Reformës Zgjedhore”, thuhet në tekstin e publikuar në faqen zyrtare të Bundestagut. Sipas Taulant Ballës këto tre kushte duhen plotësuar brenda 6 muajve të parë të vitit të ardhshëm.
Dy nga kushtet duket se do të plotësohen së shpejti, pasi Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë janë në fazën e fundit të krijimit. Reforma Zgjedhore, është ajo që mund të krijojë ngërç. Mazhoranca, opozita në parlament dhe ajo jashtë parlamentit treguan vullnet për të realizuar këtë reformë sa më parë. Por, opozita jashtë parlamentit kërkon që kjo reformë të hartohet nga ekspertë të saj dhe të mazhorancës, duke përjashtuar opozitën në parlament.
Rudina Hajdari dhe Ralf Gjoni, deklaruan në “Real Story”, e do të përdornin dhe “veton”, nëse reforma do të imponohet. Ndaj, kjo dilemë mund të jetë e vetmja pengesë reale, që pas 18 tetorit, Shqipëria të ketë mundësi për caktimin e datës për tryezën e parë të negociatave. Edhe të Gjelbërit në Bundestag mbështesin pak a shumë kërkesat e CDU/CSU, që negociatat të hapen, por data të përcaktohet pasi të plotësohen tre kushtet kryesore; avancimi i mëtejshëm i Vettingut, krijimi i strukturave të reja të drejtësisë dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Pavarësisht kushteve, lajmi i mirë është se Shqipëria do të ketë “PO” për negociatat. Gjithashtu, lajmi i mirë është dhe fakti, që dy nga tre kushtet, që pengojnë vendosjen e datës për negociatat, janë mundësisht të realizueshëm deri në fund të muajit tetor. I treti, Reforma Zgjedhore, i mbetet në “fushë” politikës, opozitës në parlament dhe asaj jashtë parlamentit përfshirë dhe mazhorancën, për të treguar vullnetin e përbashkët: “Për Shqipërinë europiane”. /Realstory.al./