Bundestagu, 395 vota “pro” Shqipërisë për negociatat

#NËRADAR


395 deputetë të Bundestagut në Gjermani, votuan “Pro” hapjes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Ndërkohë, 188 deputetë votuan kundër dhe 16 abstenim. Lajmin e konfirmoi Taulant Balla, i cili publikoi një foto në rrjetet sociale pak minuta pas mbylljes së procesit të votimit në Bundestag. “Faleminderit! Bundestagu voton me 395 vota PRO fillimit të bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë me Bashkimin Europian”, shkruan Balla.  Deputetët gjermanë votuan Rezolutën e CDU/CSU, që rekomandon hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE.  45 minuta zgjati diskutimi i deputetëve në Bundestag dhe më pas u hodh në votim Rezoluta. Gjithashtu, Bundestagu i ka thënë “Po” dhe Maqedonisë së Veriut.

Të martën në 24 shtator, deputetët e grupit parlamentar CDU/CSU në Gjermani miratuan Rezolutën “Pro” Shqipërisë për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Një ndër kërkesat kryesore të kësaj rezolute, veç 9 kushteve, ishte ajo e zgjidhjes së krizës politike. Në hapje të Rezolutës, që votuan deputetët e CDU/CSU, që kaloi të enjten dhe në Bundestag, kërkojnë kalimin e krizës nëpërmjet dialogut.


“Shqipëria është në një krizë të rëndë politike. Bundestagu gjerman u bën thirrje me ngulm të gjitha forcave demokratike në Shqipëri që të ndërmarrin menjëherë të gjitha hapat për të kapërcyer këtë krizë sa më shpejt përmes dialogut politik, përndryshe rruga për negociatat e anëtarësimit do të vështirësohet në mënyrë të konsiderueshme”, thuhej në një pjesë të Rezolutës. Ndërkohë, po në Rezolutë, evidentohej progresi i Shqipërisë dhe perspektiva e saj europiane, duke e cilësuar hapjen e negociatave, si shtysë vendimtare për reformat dhe stabilitetin në rajon.

“Bundestagu gjerman mbështet perspektivën e Shqipërisë në BE dhe vlerëson pavarësisht gjithë mangësive përpjekjet për reforma në vend. Procesi i anëtarësimit është një shtytsë vendimtare për reformat dhe stabilitetin në rajon. Gjermania dhe BE janë veçanërisht të interesuara për stabilizimin dhe bashkëpunimin e fqinjësisë së mirë në rajon. Shqipëria i jep procesit të afrimit në BE një përparësi shumë të lartë, dhe motivimi i këtij vendi të NATO-s për t’u anëtarësuar në BE është i lartë. Vitet e fundit, vendi ka filluar pjesërisht reformat thelbësore politike për të përmbushur kushtet për hapjen e negociatave të prani-mit. Reforma gjithëpërfshirëse në drejtësi është duke u zbatuar”, thuhej në Rezolutë. /Realstory.al/




Skip to toolbar