Negociatat me BE, Komisioneri për Zgjerimin: Mbështetje pa kompromis për Shqipërinë!

Më të fundit


Tjetër sinjal pozitiv vjen nga Brukseli për Shqipërinë sa i takon çështjes së hapjes së negociatave për t’u anëtarësuar në BE. Olivér Várhelyi ka deklaruar se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut  duhet të anëtarësohen sa më parë në Bashkimin Europian.

Komisioneri i BE-së për Politikën e Fqinjësisë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit e bëri këtë deklaratë gjatë një intervistë ekskluzive për televizionin hungarez “Hír TV”.

Várhelyi, i cili pak javë më parë ishte për një vizitë në vendin tonë, tha se qëllimi përfundimtar ishte integrimi i plotë i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, një rajon që gjithmonë i përket Evropës përgjatë historisë.

Pas marrjes së këtij posti të rëndësishëm, Komisioneri Oliver Várhelyi e nisi ditën e parë të punës duke u vendosur menjëherë kontaktet me Tiranën pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit për të mësuar sesi BE mund të ndihmonte për të lehtësuar pasojat e katastrofës.

I pyetur nga gazetari hungarez, Katalin Zöldhegyi, nëse mendimi i presidentit francez, Macron në lidhje me hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ka ndryshuar krahasuar me vjeshtën e kaluar, Olivér Várhelyi tha se duhej të gjenden arsyet e refuzimit e jo ata që ishin përgjegjës.

“Situata duhet të adresohet dhe duhet të vendoset një paketë politike që do t’i lejojë këto vende të mbështesin hapjen e negociatave me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë pa ndonjë kompromis për qëllimin përfundimtar, që është integrimi i gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Rajoni më i afërt me Ballkanin Perëndimor duhet të jetë Evropa, ashtu siç ka qenë gjithmonë në histori”, theksoi Komisioneri i Zgjerimit të BE-së.

“Me gjithë dështimin në tetor, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut vazhdojnë të aspirojnë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”, theksoi Oliver Várhelyi.



Skip to toolbar