Negociatat, Rama: Franca mund të ndryshojë qëndrim

POLITIKË


Kreu i qeverisë, Edi Rama ka përcjellë një mesazh të fortë në kohën që brenda BE po zhvillohet debati për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilin duket se nuk ia drejtuar vetëm qytetarëve, por edhe opozitës, të cilën e ka shënjestruar si pjesë e grupit që punoi kundër këtij procesi.

Me një videomesazh prej më shumë se pesë minutash, Rama ka sqaruar një panoramëtë asaj që po ndodh në BE, duke lënë të kuptojë se shqiptarët duhet të përgatiten për të dyja përgjigjet, jo për shkak të detyrave të Shqipërisë, pasi ato sipas tij janë kryer, por edhe për shkak të qasjes së francezëve, të cilën Macron nuk e ka shpallur sot, por që në kohën kur është zgjedhur në krye të Francës. Megjithatë, sipas Ramës ka ende shpresë dhe se Franca mund të ndryshojë qëndrim.

Në mesazhin që ndau me qytetarët, Rama fillimisht bëri një panoramë të mbledhjes së ministrave të vendeve anëtare të BE. “Vijon intensivisht debati brenda BE për një vendim të dakordësuar mbi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Tani më dihet edhe botërisht ajo çfarë unë kam ndarë prej kohësh me ju. Shumica dërmuese e shteteve anëtare duan çeljen e menjëhershme të negociatave për anëtarësim me të dyja vendet pa kushte”, tha Rama, i cili nuk la pa përmendur edhe rolin e Gjermanisë, që sipas tij votën pro e ka lidhur me disa kushte qëllimisht për të afruar qëndrimin me Francën.

“Gjermania e cila sot udhëheq frymën e Po-së, ka zgjedhur një pozicion të ndryshëm nga ai i shumicës së vendeve anëtare. Ajo e ka lidhur PO-në me disa kushte, të cilat janë të arsyeshme për ne dhe po aq të rëndësishme për të afruar Francën dhe dy a tri vendet, që deri më sot janë në pozicion të pafavorshëm lidhur me pritshmërinë tonë”, u shpreh Rama.

Sipas tij, Franca dhe ato dy a tri vende nuk kanë dalë sidoqoftë ende në një pozicion përfundimtar, siç është plotësisht e mundur të mos lëvizin deri në fund nga pozicioni i tyre, nuk është krejt e pamundur që të pranojnë një vendim kompromisi. “Presidenti i Francës ka vizion dhe qasje publikisht të shpallur që prej ditës së parë të zgjedhjes së tij, për një reformim të thellë të Unionit, përpara sa të vazhdohet me zgjerimin e BE. Macroni nuk është i gatshëm të shtyjë më fort integrimin europian të Ballkanit Perëndimor, pa shtyrë më parë reformimin e vetë unionit”, tha kreu i qeverisë.

Megjithatë sipas tij, edhe nëse nuk do të ketë një vendim kompromisi, kjo nuk vjen për fajin e Shqipërisë. “Kjo qasje e Francës konceptualisht është përputhur nga qasja tradicionale që karakterizon frontin e PO-së për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por ka shumë rëndësi të kuptohet se kjo nuk është kurrsesi një qasje kundër Shqipërisë apo Maqedonisë së Veriut në vetvete, apo kundër perspektivës së Ballkanit Perëndimor në tërësi. Asgjë nuk mund të përjashtohet deri në minutën e fundit, sidoqoftë dhe njëkohësisht askush nuk duhet ta harrojë sesa shumë patate të nxehta janë këto ditë në tryezën e BE, që nga Brexit, deri te të rejat e fundit te fronti i luftës në Siri që do të diskutohen sigurisht në të njëjtën ditë, më 18 tetor”, shpjegoi kryeminsitri.

Por, ai vuri në dukje se gjithsesi fjala e fundit nuk është thënë ende dhe përpjekjet intensive të këtyre ditëve deri në mbledhjen e këshillit të unionit, kur do të merret vendimi, synojnë të përputhin qëndrimet e dy anëve në pritje të një rezultati bisedimesh mes Gjermanisë dhe Francës, që janë kyç. “Dhe të gjithë besoj e dinë se vendimet në atë këshill merren me konsensus. Pra mjafton që një vend të thotë jo, për të rrëzuar Po –në e të gjithë të tjerëve. Unë nuk e di sot, askush nuk e di në fakt sesi do të përfundojë kjo odise më 18 tetor. “Përtej tërë spekulimeve dhe broçkullave për konsum të brendshëm politik në Shqipëri, vendimmarrja e 18 tetorit nuk ka asnjë lidhje me çfarë kemi bërë, apo nuk kemi bërë ne për të merituar Po-në. Kaq e vërtetë është kjo sa ç’është e vërtetë që sikur sot në vendin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë të ishin dy vende të tjera, që janë pjesë e BE, situata e tyre do të ishte po njësoj, pa asnjë ndryshim, sepse dhe këtu vijmë tek e dyta: Vendimmarrja ka lidhje thelbësore me çfarë duan apo nuk duan të bëjnë ata, anëtarët e unionit mes vetit, me reformën në BE dh me metodologjinë e negociatave me vendet kandidate dhe me sa do të arrijnë mes tyre të dakordësohen me faktin se cilado qoftë reforma e BE-së, ajo nuk duhet t’i pengojë Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe vendet e Ballkanit Perëndimor në tërësi të vazhdojnë reformat e tyre falë procesit të negociatave”, tha Rama.

Pasi bëri këtë rezyme, Rama riktheu në vëmendje edhe një herë akuzat e opozitës, të cilat sipas tij janë bërë me qëllim për të mos lejuar negociatat. “Ne kemi arritur të bëjmë më shumë se sa thjesht detyrat e shtëpisë, të cilat komisioni i ka dhënë këshillit rekomandimin për çeljen e negociatave pa kushte sepse me forcën e diplomacisë dhe falë marrëdhënieve të forta të respektit dhe besimit që kemi krijuar në apelin zyrtar, ia kemi dalë të kapërcejmë pengesën e lartë që u ngrit në Bundestag, si pasojë e planit politik kundër negociatave që vuri në zbatim opozita jashtëparlamentare nga janari deri në fund të qershorit. Falë komunikimit intensiv dhe të sinqertë edhe me faktorë të rëndësishëm të CDU/CSU si dhe falë mbështetjes së tyre për Shqipërinë, Bundestagu i tha Po Shqipërisë dhe sot Gjermania është avokati ynë i madh në këtë proces shumë të komplikuar. Për pak ditë do të mësojmë përfundimin e këtij kapitulli të vështirë të historisë së Republikës sonë për t’u bërë pjesë e BE, por sidoqoftë ai përfundim, të nesërmen e mbledhjes së KE, dielli do të lindë përsëri dhe dita do të jetë vazhdimi i natyrshëm i kësaj përpjekje historike shtet bërje europiane, drejt Europës dhe Shqipërisë Europiane që duam për fëmijët tanë, jo për Brukselin, jo për Berlinin, jo për Parisin, jo për BE, por për Shqipërinë, shqiptarët dhe gjeneratat e tjera”, përfundoi kreu i qeverisë.



Skip to toolbar