Kryeministri Edi Rama shprehet se Gjermania nuk i vendosi 9 kushte Shqipërisë, por vetëm dy, për negociatat. Por, dhe këto, nuk janë kushte që kushtëzojnë hapjen e negociatave, por marrjen e datës për uljen në tryezën ndërqeveritare me vendet e Bashkimit Europian. “Dy kushtet e Bundestagut janë të rëndësishme se na çojnë në konferencën ndërqeveritare të BE-së. Çdo hap, në çdo kapitull, në çdo paragraf ka nga një kusht, që duhet përputhur legjislacioni, për peshkun, për tërmetin, për ajrin, për detin, për për…janë të gjitha gjëra që na bëjnë shtet anëtar. Na përshpejtojnë të bërit shtet evropian, siç ndodhi me drejtësinë”, tha Rama.
Në fakt, Realstory.al lajmëroi disa ditë më parë, se kushtet gjermane ishin për kapitujt dhe jo për negociatat, pra, për uljen në tryezën ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së. Gjithashtu, në datë 26 shtator, para se të thoshte “Po” me 395 vota, Bundestagu publikoi deklaratën ku caktonte qartë kushtet që Shqipëria duhet të plotësojë për të marrë datën për tryezën ndërministrore. Ngritja e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe Reforma Zgjedhore, janë ato që kërkon Gjermania, në mënyrë që Shqipëria të marrë datën për bisedimet në nivel teknik.
Megjithatë, Shqipëria është ende në fazën që pret datën 18 tetor, pra “Po”-në përfundimtare për negociatat nga vendet e Bashkimit Europian. Por, te disa vende, përfshirë Holandën apo Francën, skepticizmi ende nuk është larguar. I pyetur në konferencën për shtyp të ditës së mërkurë, Kryeministri Rama u shpreh se “negociatat nuk varen nga qeveria”. Kryeministri, duke argumentuar “Po”-në e Bundestagut, u shpreh se për “Francën nuk e di se cili do të jetë përfundimi”, por shtoi se “vendimi Francës, nuk do të ndikohet nga gjykata kushtetuese në Shqipëri”.
“Sa i përket negociatave, nuk dua të bëj përsëritje: Por nuk varet nga ne! Varet nga të tjera arsye jashtë nesh. Nëse me Bundestagun kemi një marrëdhënie për shkak të një marrëdhënie tjetër, një raport partiak me Shqipërinë. Reformën e BE dhe vizionin e kësaj reforme për ndryshimin rrënjësor të BE që ka Presidenti i Francës s’e ndikon as gjykata kushtetuese në Shqipëri e as reforma zgjedhore, nuk kanë lidhje. Unë nuk jam në gjendje të them se cili do të jetë përfundimi nga ana e Francës, por mirëkuptoj që Franca është një vend i madh, një nga dy themeluesit e idesë së BE-së, ka të drejtën të mendojë dhe të shohë ndryshe, dhe ka të drejtën të mos e ketë mendjen tek ne, pavarësisht sa e padrejtë mund të na duket dhe pavarësisht sa të padrejtë e mendoj unë. Është e rëndësishme që kemi kaluar barrierën e Bundestagut, kemi marrë një PO që është e qartë”, tha Rama. /Realstory.al/