Gjatë një vizite zyrtare në Kroaci, Presidenti i Francës Emanuel Macron u shpreh “se dëshiron që Samiti i Zagrebit të jetë i suksesshëm”. Gjatë takimit me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkovic, Macron deklaroi se “ndante të njëjtin mendim që gjatë samitit të ardhshëm të liderëve të BE, të arrihet unitet për të mirën Evropës”. Por, Presidenti i Francës është shprehur se ndryshimi i mteodologjisë së procesit të negociatave është një parakusht për fillimin e negociatave me vendet kandidate.
“Unë do të doja të nënvizoja dëshirën e Francës që samiti në Zagreb të ishte një sukses. Unë i ndaj përpjekjet tuaja që samiti në Zagreb në maj të arrijë unitet. Ne presim që të kemi përfundime konkrete për metodologjinë e re të zgjerimit të cilën e kemi propozuar me qëllimin që të mos vazhdojë më të jetë burokratike por të sjellë përfitime konkrete për qytetarët e vendeve kandidate. Në ditët në vijim edhe komisioni do të japë rekomandimet mbi metodologjinë e re, ku do të bashkëngjiten edhe propozimet e vendeve të tjera anëtare”, tha Macron.
Në samitin e tetorit të kaluar, Franca, së bashku me Hollandën, bllokuan fillimin e negociatave të pranimit me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë. Kroacia, e cila mori presidencën gjashtëmujore të Këshillit të BE më 1 janar, dëshiron të zhbllokojë procesin sepse beson se për këto vende perspektiva europiane është e vetmja alternativë. “Unë jam i kënaqur që Presidenti Macron shprehu optimizëm për suksesin e samitit të Zagrebit. Për ne, ky takim është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Është në interesin tonë që këto vende të jenë të qëndrueshme, të ndërmarrin reforma ekonomike dhe sociale”, tha kryeministri i Kroacisë, Plenkoviç.
Duke folur për çështjen e zgjerimit, ai tha se kishte biseduar me Macron për ndryshimin e metodologjisë së procesit të pranimit, të cilën Franca e konsideroi si parakusht për të filluar negociatat me Shkupin dhe Tiranën. Komisioni Evropian pritet të dalë këtë muaj me një propozim për të ndryshuar procesin e pranimit, dhe në shkurt të publikojë një raport shtesë për Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë.