30 qershori është afati i fundit i bizneseve për t’u fiskalizuar. Por, kur ka mbetur edhe një ditë kohë nga mbyllja e procesit, ende sipas të dhënave të Drejtorisë së Tatimeve, 10% e bizneseve të vogla, rreth 9 mijë subjekte, nuk janë fiskalizuar.
Të dhënat i përkasin periudhës nga 1 janari 2021 kur nisi procesi e deri më 27 qershor të këtij viti, ku në fazën e fundit biznes-konsumator numri i bizneseve të vogla që duhet të fiskalizoheshin ishte rreth 90 mijë subjekte.
Në total, detyrimin për t’u fiskalizuar e kanë rreth 120 mijë biznese në të gjithë vendin. Pas këtij afati, tatimpaguesit e biznesit të vogël që nuk janë subjekt i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar dhe nuk janë fiskalizuar ende do të ndëshkohen me gjobë që sipas ligjit për këtë kategori është 25 mijë lekë.
30 qershori iu ishte lënë si afat pa penalitete bizneseve të vogla, bankave si dhe Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike që të fiskalizoheshin si subjektet e tjera, pasi ai do të shënojë edhe përfundimin e fazës së tranzicionit të fiskalizimit.
Ndërkohë, edhe bizneset e tjera përfshirë subjektet e mëdha për të cilat sipas Tatimeve procesi ka përfunduar plotësisht, entet që kanë marrëdhënie me shtetin apo edhe subjekte që janë fiskalizuar prej më shumë se një viti duhet të bëjnë rinovimin e certifikatës elektronike pranë AKSHI-t, kostoja vjetore e të cilës është 4 mijë lekë.
Edhe pse procesi duket i paplotë pasi ende 10% e subjekteve të vogla mbeten jashtë tij duke mos respektuar afatin e përcaktuar, duket se qeveria është e vendosur të çojë përpara fiskalizimin.
Sipas të dhënave të Administratës Tatimore, nga fillimi i fiskalizimit e deri më 27 qershor janë pajisur me certifikatë fiskalizimi rreth 108 mijë tatimpagues, ndërsa numri i faturave të lëshuara llogaritet në 407.3 milionë fatura.