Pas më shumë se tre viteve në arrati nga burgu italian dhe i rikthyer në Shqipëri, ku bashkë me vëllain e tij i vinin gjoba bizneseve, forcat speciale kanë mundur të rikthejnë në burg një të dënuar me burgim të përjetshëm. Në prangat e RENEA la rënë i shumëkërkuari Testiliano (Tesi) Basho, anëtar i bandës së ‘Llanajve’ në Vlorë, i cili është arrestuar bashkë me vëllain e tij gjatë operacionit të koduar Selenica. Gjatë aksionit, të koordinuar nga Krimet e Rënda dy vëllezërve u është sekuestruar edhe një arsenal armësh.
Policia deklaroi zyrtarisht se forcat speciale “Renea” në kuadër të operacionit “Selenica” kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të personit me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore, Tesi alias Tesilvan Basho, 38 vjeç, banues në Selenicë, Vlorë. Ky person, në momentin e ndërhyrjes së policisë ka tentuar të reagojë dhe të largohet, por falë veprimeve profesionale të policisë është neutralizuar dhe vënë në pranga.
Gjykata e Torinos në Itali, në vitin 2016 e ka dënuar me burgim të përjetshëm, për veprat penale “Vrasje”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Mbajtja dhe transportimi pa leje i armëve të zjarrit”. Sipas vendimit italian, më datë 24 janar 2008, ai ka vrarë me armë zjarri dy shtetase që ushtronin prostitucion në qytetin e Torinos, Itali, njërën prej të cilave e shfrytëzonte ky shtetas për prostitucion. Por, Tesi Basho në 2016 ka arritur të arratiset nga burgu i Rebibbos në Itali. Duke përdorur çarçafë dhe bishta fshese, ai kishte arritur të dilte nga dritarja e qelisë dhe që në atë kohë, ai mendohet se është fshehur në Shqipëri, ndërkohë që rreth një vit më vonë, kishte filluar të vinte gjoba ndaj biznesmenëve, duke i kërcënuar me jetë. Po ashtu, ai dyshohet se merrej edhe me kultivim të bimëve narkotike, kështu që Gjykata e Vlorës kishte dhënë këtë vit për të edhe masën e sigurisë në mungesë “arrest me burg”.
Po gjatë operacionit të paradites së të mërkurës, forcat e Policisë kanë bërë të mundur dhe ndalimin e Satilno Basho, 33 vjeç, banues në Vlorë, vëllai i Tesi Bashos. Për këtë person kishte urdhër-ndalimi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, i dyshuar për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”.
Të dy vëllezërit dyshohet se në janar të vitit 2017, nëpërmjet dhunës, kanë kërcënuar për dhënie pasurie rreth 100 000 euro një shtetas. Gjithashtu, këta shtetas dyshohen edhe për kryerje të veprave të tjera penale në fushën e krimeve ndaj personit dhe të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
Në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 armë zjarri Kallashnikov me 6 krehër me fishekë, 1 armë zjarri pistoletë me dy krehra, kallëp me lëndë eksplozive, jelek antiplumb, pajisje elektrike që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike, 10 kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa, 5 radio marrëse – dhënëse si të Policisë, 900 euro, si dhe dokumente të ndryshme.