Ish-kreu i Kuvendit, Namik Dokle, u shpreh mbrëmjen e djeshme në emisionin “Refleksione” se: “Nuk duhet thjesht të kemi disa politikanë të ndershëm, por të bëjmë të ndershme politikën si sistem”.
Ish drejtuesi i Kuvendit në kohën e PS-së në pushtet, gjithashtu edhe zëvendëskryeministër në qeverisjen e Fatos Nanos , nuk ngurroi të përmendte emrat me të cilat do dëshironte të punonte po të kishte vijuar në politikë.
“Do doja të punoja sërish me profesorë si Servet Pëllumbi, Leontiev Çuçi, Luan Hajdaraga, Fatos Nano, Xhevat Lloshi, Shkelqim Cani, Anastas Angjeli, apo me kolegët e gazetarisë Halil Lalaj, Musa Ulqini.
Por edhe nga krahu i PD-së, si Bensik Mustafaj, Bardhyl Londo e shumë të tjerë.
Por nuk do ndjeja kënaqësi të punoja me ata që shfaqin mungesën e kulturës, që funksionojnë me gjuhë urrejtje, me ata që e përdorin foltoren e Kuvendit për të sharë dhe fyer të tjerët”, tha Dokle, duke mos e fshehur se, koha që ka drejtuar Grupin parlamentar të PS-së, në vitet 1992-1996, është periudha që i ka dhënë edhe më shumë kënaqësi në jetën politike.