“A do të bashkëpunonit me Berishën?”, Duka ia kalon ‘topin’ partisë

Më të fundit


Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka ka komentuar situatën politike në vend e veçanërisht atë brenda Partisë Demokratike. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Duka theksoi se kriza në PD po dëmton opozitën, ndërsa zbuloi se tashmë nuk funksionon më një koalicion opozitar. Kryetari i PAA, i cili u zgjodh deputet në zgjedhjet e 25 prillit, nga lista e Partisë Demokratike, u shpreh gjithashtu se PD duhet të rishikojë marrëdhëniet me aleatët, kjo pasi sipas tij, ka pasur zëra se ata nuk patën rezultate pozitive në zgjedhje, për të mbledhur vota. Madje duke u ndalur, tek përplasja Basha-Berisha, Duka deklaroi se kjo po i pengon ata që të bëjnë opozitë, ndërsa shtoi se “nesër” mund të kemi dy parti, pra ndarjen e Partisë Demokratike. Ndërkohë skandalin ku të dhënat e disa qytetarëve të punësuar në sektorin privat dhe publik, shoqëruar me kartat e tyre të identitet, pozicionin e punës dhe pagën, u shpërnda masivisht në “Whatsapp” dhe media, deputeti Duka e cilësoi si skandal qeveritar.

-Zoti Duka, më 25 prill pati një aleancë mes PD dhe partive të tjera opozitare. Si janë sot raportet tuaja me Partinë Demokratike, pasi nuk kemi parë asnjë takim?


Marrëdhëniet tona me Partinë Demokratike janë pothuaj inekzistente. Kjo sipas meje për dy arsye: E para sepse PD siç dihet, po përjeton një krizë të brendshme dhe si pasojë marrëdhëniet me aleatët nuk gjejnë kohë, si edhe për arsye sepse ka ndërmjet Partisë Demokratike zëra që fajësojnë edhe përfshirjen e aleateve ne lista, gjë e cila sipas nesh është e gabuar. Përfshirja e aleatëve në lista ishte një zgjidhje e sforcuar për shkak të Kodit Elektoral dhe mendoj që ka dhënë efekte pozitive. PAA ka pasur vetëm 3 emra në listat e përbashkëta dhe ka marrë rreth 10.500 vota, në 9 qarqe të tjera votat tona shkuan në favor të koalicionit, pra duket qartë që Partia Agrare Ambientaliste një mandat të fituar në këto zgjedhje e ka më se të merituar.

-PD ndodhet në një moment krize. Zoti Berisha pretendon se Basha është shkarkuar, por ky i fundit nuk e njeh këtë vendim. Si e shihni situatën?

Unë e shoh një situatë që duhet zgjidhur sa më parë që të jetë e mundur, sepse çdo zgjatje e kësaj krize shkon në dëm të Partisë Demokratike dhe opozitës në përgjithësi.

A ka ndikuar situata në Partinë Demokratike në raportet me aleatët?

Padyshim që ka ndikuar! Këtë dhe pyetjen vijuese e sqarova në pyetjen e parë.

-Ju do bashkëpunonit me Berishën nëse ai rikthehet si kryetar i PD?

Ky vendim nuk me përket mua, por strukturave të Partisë Agrare Ambientaliste dhe do të merret në kohën e nevojshme.

-Ju dolët me një grup parlamentar më vete, pse erdhi kjo nismë?

Dalja në një grup parlamentar më vete është në dobi të opozitës, sepse në këtë mënyrë kemi mundësi të marrim pjesë në vendimmarrjen dhe përcaktimin e agjendës parlamentare si dhe lehtësimin e pjesëmarrjes aktive në seancat parlamentare

-Vendi është mbërthyer nga një skandal i publikimit të të dhënave të pagave. Keni një koment se përse mund të kenë dalë këto të dhëna?

Përse të kenë dalë nuk e di, por një gjë është e sigurt, që ka sjellë pasoja negative sidomos në biznesin privat si edhe shpreh pasiguri të strukturave shtetërore. Argumenti që të tilla gjëra kanë ndodhur edhe në vende të zhvilluara është një justifikim, shteti ka për detyrë të marrë masa për strukturat përgjegjëse në mënyrë transparente dhe jo të bëjë avokatin e tyre. Nuk e teproj po të them që në raste të tilla qeveria duhet të tronditet e jo ta kalojë sikur nuk ka ndodhur asgjë.

-Mazhoranca miratoi buxhetin 2022 pak ditë më parë. Duke qenë se ju keni në fokus bujqësinë, si e shihni buxhetin për këtë sektor?

Buxheti i vitit 2022 për bujqësinë është më i ulët se ai i vitit 2021, nga 12,9 miliardë është 12,7 dhe kjo tregon që kjo qeveri nuk e sheh bujqësinë si prioritet. Vendosja e TVSH-së 10% për inputet bujqësore është e gabuar dhe do të sjellë si pasojë ngritjen e çmimeve të tyre. E gabuar është gjithashtu skema e TVSH-së së produkteve bujqësore, e cila ka qenë 6 % në blerje dhe 20% në shitje, në vend që të barazohet, një kërkesë e kahershme e fermerëve dhe blegtorëve në paketën e re fiskale ajo u bë 0 % në blerje dhe 20 % në shitje gjë e cila do të sjellë rritjen e importeve dhe rënien e prodhimit vendas për shkak të konkurrencës nga mallrat e importit. Për këto si edhe për disa ndryshime në ligjin për bujqësinë, të pandryshuar që nga viti 2007, unë kam paraqit 2 projektligje, të cilat janë diskutuar në komisione dhe shpresojmë të merren në shqyrtim në seancat e ardhshme parlamentare.




Skip to toolbar