Nga Kashari, te ish-Uzina e Traktorëve, ja ku do ndërtohen lagjet e reja në Tiranë

AKTUALITET


Kryeministri Rama propozoi në mbledhjen e qeverisë ndërtimin e lagjeve të reja me mbi 10 mijë apartamente për banorët e prekur nga tërmeti. Ai tha se nuk synohet të ndërtohen banesa sociale, por apartamente dhe lagje luksoze me infrastrukturë, kopshte e shkolla të dedikuara. Kryeministri tha se ekzistojnë disa skenarë që do të diskutohen edhe më ekspertë të huaj, ndërsa theksoi se në Tiranë ekziston mundësia e ndërtimit të disa lagjeve, në Kashar, te ish Uzina e Traktorëve dhe në Kombinat, ku do të shemben të gjitha pallatet e vjetra.

Për një gjë Rama ishte i prerë, pranvera e 2021 duhet ta gjejë Durrësin, Tiranën dhe Laçin të kthyer në kantier ndërtimi. “Po diskutojmë për disa skenarë. Skenari im i preferuar është ndërtimi i disa qytezave të reja. Objektivi im është të arrijmë në një program rindërtimi që të jetë krenari kombëtare. Jo banesa sociale të tipit që kemi njohur deri tani, me banesa që bëhen për të varfrit dhe që e kanë të shkruar në ballë gjithë jetën që janë në shtëpitë e të varfërve.

Objektivi është që të arrijmë në një program rindërtimi, që të jetë krenari kombëtare, jo banesa sociale si ato që kemi njohur deri tani, banesa që bëhen për të varfrit dhe që e kanë të shkruar gjithë jetën në ballë që janë të varfër.

Do ndërtojmë në Durrës një lagje komplet të re, që do të jetë lagjja më e bukur pas ’90, një lagje të re nga e para, me infrastrukturë, me kanalizime, ujësjellës, kopshte, shkollë, të gjitha.

Në Tiranë do të kemi një skenar për të ndërtuar një lagje te re dhe të madhe, dhe një skenar për të ndërtuar dy lagje tjera më të vogla. Një prej tyre do të jetë në Kombinat, tjetra tek Ish-Uzina e Traktorëve. Do ta shtrojmë këtë çështje me arkitektë të huaj dhe shumë shpejt dalim me rezultate.

Në zonën e Kurbinit gjithë pallatet që kemi vizituar dje do t’i shembim dhe do të ndërtojmë një lagje me parametra komplet te tjera”, tha kryeministri Rama.

Sipas Ramës, objektivi afatmesëm është ndërtimi i 10 mijë apartamenteve të reja me anë të këtij programi “Po bëjmë gjithë kalkulimet e nevojshme, ambicia ime është të kemi një objektiv afatmesëm prej 10 mijë apartamentesh dhe një objektiv afatshkurtër prej 5 mijë apartamentesh. Kështu, mund të përfshijmë të gjithë ata që janë drejtpërdrejtë të prekur, por edhe ata që janë me probleme sociale”, shtoi Rama.

Ndërsa pallatet e vjetra në zonën e Kombinatit që janë kthyer në një kërcënim për jetën e qytetarëve që banojnë në to para dhe pas tërmetit të 26 nëntorit do të shemben.

“Pallatet në Kombinat duhen shembur, të fillojë shembja. Pallatet e vjetra në Kombinat që po terrorizojnë njerëzit dhe që i kanë dhënë këtij vendi shumë figura të njohura dhe i kanë dhënë kësaj qeverie dhe Erjon Braçen, duhen shembur”, tha Rama.



Skip to toolbar