Deputetët e Kuvendit do të rikthehen nesër për të çelur sesionin e ri parlamentar. Ky është sesioni parë në 3 dekada që Partia Demokratike nuk është pjesë e Parlamentit. Siç dihet vendet e deputetëve demokratë dhe të aleateve të tyre janë zënë nga deputetë që kanë krijuar 3 grupe të reja parlamentare, grupi “Demokrat” i udhëhequr nga Rudina Hajdarit, grupi “I pavarur” pjesë e të cilit është Ralf Gjoni, si dhe grupi i “Partive të djathta.
Këto grupe parlamentare do të vendosin këtë sesion për shkarkimin ose jo te presidentit te republikës, Ilir Meta, vendim i cili kërkon 94 vota. Në tetor përfundon afati i komisionit hetimor i ngritur për hetimin e tij lidhur me dekretin e anulimit të zgjedhjeve të 30 qershorit. Ky komision do të lexojë raportin, pasi komisioni i Venecias te japë mendimin e tij për këtë çështje, e më pas Kuvendi do të vendosë për fatin e Ilir Metës.
Por kjo nuk është e vetmja çështje që Parlamenti ka për të zgjidhur me Presidentin e Republikës. Janë 9 ligje që gjatë muajve të verës kreu i shtetit ka refuzuar t’i dekretojë. Mazhoranca do të vendose nëse do të pranojë vërejtjet e tij apo thjesht do t’i miratoje ato pa asnjë ndryshim, siç ka vepruar në shumë raste.
Në fund të muajit nëntor përfundon afati i Komisionit për Reformën Zgjedhore. Mbetet për t’u parë nëse ndryshimi i ligjit zgjedhor do të bëhet me opozitën e re, pa kontributin e Partisë Demokratike, LSI, PDIU, apo partive të tjera opozitare jashtë Kuvendit. Sakaq, Këshilli i Emërimeve ne Drejtësi ka realizuar verifikimin e kandidaturave e pritet vetëm renditja sipas meritës para se t’i dërgohen deputeteve për votim. Në këtë sesion, Parlamenti do të miratojë edhe 2 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Para zhvillimeve të reja në Kuvend, pas më shumë se një muaji, nesër deputetët do të rikthehen për herë të parë në një seancë plenare./Javanews/