Pas lëkundjeve të tërmetit, vendi është përfshirë nga stuhi e reshje të dendura shiu të cilat kanë shkaktuar probleme në disa zona duke sjellë përmbytje, rrëshqitje dherash dhe vështirësi në qarkullimin e automjeteve.
Sipas informacionit më të fundit të Autoritetit Kombëtar Rrugor në rajonin verior në segmentin Skuraj-Burrel (zona Shkopet) ka rënie gurësh, por është punuar gjatë natës për pastrimin e rrugës dhe aktualisht nuk ka probleme me qarkullimin rrugor.
Në rajonin Qendror, gjatë natës ARRSH ka punuar në segmentin sa kalon rrethrrotullimin e Bërzhitës, dhe në të gjitha akset e këtij rajoni qarkullimi kryhet pa problem.
Në rajonin Jugor ARSH bën të ditur se pavarësisht intensitetit të lartë të reshjeve qarkullimi kryhet pa problem në të gjitha akset.
ARRSH njofton se situata është në monitorim të vazhdueshëm nga kompanitë dhe sektori i mirëmbajtjes, ndërsa i bën apel drejtuesve të mjeteve të bëjnë kujdes, të ulin shpejtësinë të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e policisë rrugore.
Situata është paraqitur e vështirë edhe në disa fshatra të Krujës, ku uji ka depërtuar në banesa. Fshatrat Luz, Mazhë, Mallkuç, Gjuricë, Bilaj, Murqinë, Hasan, Ura e Gjoles, janë nën ujë.
Probleme janë shënuar edhe në qytetin e Laçit që të martën është zgjuar nën pushtetin e ujit. E njëjta situatë raportohet edhe në Kurbin ku uji ka hyrë në shumë banesa dhe biznese.
Përmbytjeve nuk i ka shpëtuar as autostrada Tiranë-Durrës ku është bllokuar qarkullimi i automjeteve. Qarkullimi i makinave bëhet nga aksi i vjetër Maminas-Vorë.
Probleme nga reshjet e dendura të shiut janë shënuar në disa shtëpi në Kamëz ku uji është futur brenda në banesa.
Ministrja e Infrastukturës Belinda Balluku dhe ministri i brendshëm Sandër Lleshja kanë shkuar pranë banorëve, ndërkohë dhe punonjësit e Ujësjellës Kanalizimeve kanë nisur punën për zgjidhjen e problemit për t’i ardhur në ndihmë banorëve të kësaj zone.