Nëna e këshilltares politike të Haradinaj është vrarë barbarisht mbrëmjen e së martës nga burri i saj në Prizren, ku prej disa ditësh ishin vendosur për pushime, pasi jetojnë në Zvicër. Bashkëshorti 61-vjeçar ka qëlluar me armë, duke lënë të vdekur në vend gruan e tij 20 vite më të re. Mediat kosovare njoftojnë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00 të së martës, në lagjen “Hysni Morina” në qytetin e Prizrenit.
Pak minuta pasi dyshohet se B.V., 61 vjeç, kreu krimin e rëndë, ai e kishte telefonuar policinë. “E kam vrarë gruan”, u kishte thënë zyrtarëve të hetuesisë 61-vjeçari. Në vendin e ngjarjes, sipas policisë, në rrugën “Hysni Morina” të Prizrenit, ai kishte gjuajtur 15 plumba. E ndjera 42-vjeçare ka vdekur në vendin ku ka ndodhur krimi. Çifti kishte më shumë se 2 javë që kishte ardhur në Kosovë. Ata nuk kanë fëmijë nga martesa e tyre. Por kjo ishte martesa e dytë e çiftit. Që të dy kishin fëmijë nga martesat e para. Sipas prokurorisë, çifti nuk njihej si problematik.
Gruaja që u vra në Prizren është nëna e nënkryetares së AAK-së dhe këshilltare politike e kryeministrit në largim Ramush Haradinaj, Diellza Hoti. Hoti është edhe kryetare e rinisë në këtë parti. Lajmin për këtë e ka bërë të ditur vetë Hoti përmes një fotografie, të cilën e ka shpërndarë në rrjetin social Instagram. “Pusho e qetë në paqe mami jem, engjëlli jem”, ka shkruar vajza e të ndjerës.
Sakaq, për lajmin ka reaguar edhe kryeministri ende në detyrë Ramush Haradinaj, i cili ka shprehur ngushëllimet për Hotin. “Thellë i prekur nga vdekja tragjike e Armenda Aliut, mikes sonë dhe nënës së koleges nga kabineti Diellza Hoti. Ngushëllime familjes dhe miqve. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!”, shkruan Haradinaj.