Ish drejtuesja e njësisë së Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme, Rovena Gashi e shkarkuar nga KPK në muajin korrik të vitit të kaluar, sot ka dalë para Kolegjit të Apelimit duke kërkuar kthimin e saj në detyrë.
Madje gjatë seancës së sotme ka pasur dhe një përplasje me përfaqësuesin e ONM-së. Kjo për shkak se ndërkombëtarit kishin njoftuar se vëzhgues në seancën e sotme do të ishte Mia Rozing, por për shkak të problemeve shëndetësore, në seancë është paraqitur Teo Jacobs. Avokatja e Rovena Gashit, Ema Gashi njëkohësisht dhe motra e saj, kundërshtoi zëvendësimin e vëzhguesit ndërkombëtar duke bërë të ditur se nuk ishte vënë në dijeni më parë për këtë ndryshim.
Pas replikave ndërhyri drejtuesja e trupës së Apelit, Albana Shtylla duke u tërhequr për vendim.
Rovena Gashi u shkarkua nga komisioni i vettingut më 25 korrik të vitit të kaluar me argumentimin se nuk justifikon pasurinë, nuk ka burime të ligjshme si dhe ka bërë deklarim të pasaktë. Ndërkohë që tashmë pritet vendimi i Kolegjit të Apelimit.