Avokat Spartak Ngjela beson se pas shkarkimit të Presidentit, do të vijë dhe dënimi ndaj Ilir Metës. Në një koment në rrjetet sociale, Ngjela shkruan se “shkarkimi i Presidentit” është rasti i parë në historinë e Shqipërisë, ndërsa sipas tij, mund të vijë dhe dënimi penal nga Gjykata Kushtetuese.
“Sot Shqipëria hyri në pragun e një epoke të re. Komisioni i Venecias dërgoi dje vendimin paraprak me gjykimin e shkeljes së kushtetutës nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Shqiptarët panë në këtë rast se historia e tyre po hyn në rrjedhën e ligjit dhe të ndëshkimit të figurave politike. Është shkarkimi i Presidentit të Republikës. Rasti i parë në historinë e Shqipërisë. Por mund të vijë edhe dënimi penal i këtij Presidenti nga Gjykata Kushtetuese”, shkruan Ngjela.
Më tej, Avokat Spartak Ngjela e cilëson “si rast historik”, raportin e Komisionit të Venecias: “Duhet të theksohet se, për shqiptarët, në 100 vjet, ky është rasti i parë historik i penalizimit të një presidenti në detyrë, i cili pati cilësim dhe analizë juridike nga një institucion juridik prestigjoz ndërkombëtar. Pikërisht për këtë fakt, na duhet të pranojmë se, në këto çaste historike, vetë historia e shtetit shqiptar hyri në pragun e një epoke të re: në kohën e ndëshkimit të keqbërësve të shtetit shqiptar dhe të vetë shqiptarëve”.
Ndërsa, në fund, Ngjela shprehet se tashmë ka nisur “çlirimi i shqiptarëve”. “Ky prag do të quhet: kalimi, nga ndëshkimi i Gjykatës së re Kushtetuese kundër Presidentit të Republikës, Ilir Meta, në hetimin dhe në akuzat që do të fillojnë të ngrihen kundër korrupsionit të lartë politik dhe të krimit të organizuar në Shqipëri. Sot duhet të themi që çlirimi i shqiptarëve ka filluar si proces që do të vijojë”, përfundon Ngjela.