Nga Spartak Ngjela
Shqiptarët, me SPAK-un që sapo filloi punën, po presin shpëtimin e tyre historik. Ata janë të varfër, të poshtëruar nga pushtetarët e korruptuar, pa të drejtë vote, të rrezikuar dhe nën presionin permanent për të lënë atdheun e tyre.
l.
I gjithë opinioni publik progesiv në Shqipëri po pret nga SPAK-u goditjen frontale kundër qendrës së korrupsionit shqiptar: Berisha, Meta, Rama, Basha, dhe taborët e tyre. Në fakt, kjo është “kështjella” e korrupsionit shqiptar.
Politika amerikane është zotuar botërisht për këtë purgo që i duhet bërë korrupsionit shqiptar. Por, kjo mbrojtje amerikane erdhi në pikën më kritike, atëherë kur Shqipëria po hynte në segmentin e saj fatal: në shpërbërjen e saj që po i vinte nga korrupsioni.
Duhet të kujtohemi për historinë: korrupsioni shtetëror ka shkatërruar edhe perandoritë e mëdha.
ll.
Korrupsioni i lartë shtetëror në Shqipëri u krijua mes vitesh. Kudo ku nuk ka pushtet gjyqësor të pavarur që jep dhe mbron drejtësinë, krijohet korrupsioni politik në funksion të pushtetit dhe të pasurisë individuale. Shkatërrimi i drejtësisë që u bë në vitet 1992-1996, duke ia dhënë atë në dorë politikës, ashtu si edhe në periudhën komuniste, në njëzet vjet, degradoi shtetin dhe shoqërinë shqiptare.
Korrupsioni i lartë shtetëror vetëm vidhte dhe shkatërronte prosperitetin shqiptar. Liderët kryesorë, në kwta tridhjetë vjet, kanë punuar me mgulm kundër Shqipërisë. Sidomos, këta individë pa vlerë, u egërsuan më shumë pas pavarësisë së Kosovës. Atëherë ata panë interesin amerikan, por nuk e menduan dot reformën në drejtësi që do të vinte në Tiranë.
lll.
Në vitin 2016, kur Amerika filloi në Tiranë reformën në drejtësi, Shqipëria ishte drejt falimentit të saj. Gjithçka ishte shkatërruar me kast, dhe, madje edhe me urdhër, me anë të korrupsionit të lartë shtetëror.
Por, na duhet theksojmë se kjo ndihmë amerikane i ka ardhur Shqipërisë me ngulm që nga viti 2016, dhe jo rastësisht.
Shtetet e Bashkuara e kanë shpëtuar ekzistencën e Shqipërisë që në vitin 1919, me presidentin Willson, pastaj vijuan në çdo krizë. Edhe në krizën me Moskën e kanë ndihmuar – me presidentin Kennedy në Vjenë, kur ky i tha Hrushovit: “Shqipëria nuk preket”. Por, edhe nga rreziku i vitit 1997, amerikanët e kanë shpëtuar Shqipërinë; po kështu ata, edhe me presidentin Klinton, në vitin 1999, i shpëtuan shqiptarët nga rreziku serb i Milosheviçit, dhe i dhanë Kosovës pavarësinë.
Ky procesi i këtyre viteve të fundit, për likuidimin e rrezikut kombëtar nga korrupsioni i lartë shtetëror, është rasti i radhës që Shtetet e Bashkuara po shpëtojnë Shqipërinë dhe shqiptarët.
lV.
Në fakt, e gjithë fatkeqësia e shqiptarëve, në dyqind vjet histori, kanë qenë krerët e korruptuar që kanë shitur interesin kombëtar në Beograd, në Athinë, në Moskë, e kudo ku janë paguar. Shqipëria dihet tani se ajo mbeti si shtet nga rasti dhe nga forca politike e Austro-Hungarisë. Por jetoi nën një rrezik permanent.
Janë dy shtete, Greqia dhe Serbia, që, po të rivendoset drejtësia historike e shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor, nuk do të mund të ekzistonin dot më si shtete.
Është agresioni grek, serb dhe rus, që ka dashur të mbysë frymën shqiptare në Ballkanin Perëndimor, dhe, bashkë me ta, hera-herës ka dalë në pah edhe politika franceze.
Por, na duhet të vëmë në dukje se, drejtësia historike e shqiptarëve si etni në Ballkanin Perëndimor, kurrë nuk mund të vendoset, nëse më parë nuk do të vendoset drejtësia në Shqipëri, madje edhe në Kosovë.
V.
Tani kuptohet, sidomos pas pavarësisë së Kosovës, se shqipëtarët po shkojnë drejt bashkimit të tyre në territorin e vet etnik.
Brenda këtij procesi për bashkim, hyn edhe purgoja që do të eliminojë korrupsionin e lartë shtetëror në Shqipëri, në të dy krahet e politikës. Pikërisht kjo purgo ligjore, është vendosja e drejtësisë në Shqipëri.
Nëse nuk do të bëhej ky pastrim i pushtetarëve të korruptuar, bashkimi kombëtar dhe zhvillimi ekonomik i Shqipërisë, do të mbetej ende si një pamundësi, dhe drejtësia nuk do të vendosej në këtë kohë historike.
Kjo, një herë do të ndodhte, por politika amerikane po i ndihmon shqiptarët që kjo të ndodhë tani. Dhe do të ndodhë, sepse SPAK-u tashmë është fakt historik.