Mobiljet, më pas arsimi. Shqiptarët surprizojnë me shpenzimet

AKTUALITET


Shqiptarët shpenzojnë më shumë për mobiljet, dhe më pak për arsimin. Instituti i Statistikave, publikoi të mërkurën të dhënat e anketës për ekonomitë e familjeve shqiptare. Nga studimi, rezulton se gjatë vitit 2018, shpenzimet e familjeve shqiptare për arsimin, janë ulur me 19.8%, krahasuar me vitin 2017. Ndërsa rritja më e madhe është regjistruar në grupin e mobilimit, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje të zakonshme të banesës, ku rritja e shpenzimeve ka qenë me 25.8%.

Një tjetër zë i lartë shpenzimesh në familjet shqiptare, është komunikimi. Sipas INSTAT, familjet shqiptare kanë shpenzuar 11.2% më shumë për shërbimet telefonike, krahasuar me vitin 2017.  Shqiptarët shpenzojnë 44.0% të buxhetit të tyre familjarë, për ushqime dhe pije joalkolike, me një vlerë mesatare mujore 33.436 lekë.


Nëngrupet që zënë peshën më të madhe në shpenzimet për ushqim janë “mish dhe nënprodukte”, me 18,5 %, “qumësht me nënproduktet e tij dhe vezë” me 16,3 %, “bukë dhe drithëra” me 14,9 % ndjekur nga “perimet” me 13,8 % dhe “frutat” 8,5 %.  Grupi i shpenzimeve për banesën, me shpenzimet për energji elektrike, ujë, lëndë djegëse, qira të paguar dhe riparime të vogla, me një vlerë mesatare mujore të shpenzimeve prej 7.988 lekë, përbën 10,5 % të totalit të buxhetit familjar. Ndërkohë, nga anketa e INSTAT, rezulton se shqiptarët shenzojnë shumë pak për produkte të kujdesit personal.

Në vitin 2018, qarku i Tiranës paraqet shpenzimet mesatare më të larta mujore për konsum. Një familje në qarkun e Tiranës shpenzon për konsum mesatarisht 88.691 lekë në muaj. Qarqet që paraqesin shpenzimet mesatare më të larta për konsum, pas qarkut të Tiranës, janë Durrësi me 75.744 lekë dhe Korça, me 74.319 lekë në muaj. Qarqet me nivel më të ulët të shpenzimeve mesatare mujore për konsum janë qarku Dibër me 58.461 dhe Elbasan, me 63.847 lekë në muaj.




Skip to toolbar