Tre nga aleatët e Partisë Demokratike, LSI, PAA dhe PR, kanë nisur zyrtarisht rrugën e braktisjes së Bashës, pasi të premten kanë dorëzuar në KQZ, pavarësisht se sa do të merret parasysh, një kërkesë për të marrë pjesë në zgjedhjet e 13 tetorit. Kërkesa është firmosur nga Fatmir Mediu, Agron Duka dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Endrit Braimllari, duke treguar kështu qëndrimin kundër që këto forca politike kanë me kreun e PD, i cili ka deklaruar se nuk hyn në zgjedhje pa largimin e Edi Ramës.
Aleatët e PD, ashtu siç paralajmëruan një ditë më herët, janë pro hyrjes në zgjedhje më 13 tetor, megjithëse kjo datë nuk është marrë në konsideratë nga mazhoranca dhe nga KQZ, e cila zhvilloi zgjedhjet vendore më 30 qershor. Për këtë qëndrim, Basha zhvilloi mesnatës e së enjtes një takim me aleatët, por siç duket nuk ka arritur t’i bindë ata në qëndrimin e tyre. Në kërkesën dorëzuar KQZ-së, LSI, PAA dhe PR kërkojnë që në zbatim të dekretit të Presidentit Meta për zhvillimin e zgjedhjeve më 13 tetor, sipas tyre një dekret i pakontestuar nga askush, KQZ të nisë procedurat për zhvillimin e procesit zgjedhor.
Menjëherë pas letrës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se të shtunën do të marrë në shqyrtim kërkesën e paraqitur nga partia Republikane e Shqipërisë, Partia Agrare Ambientaliste e Shqipërisë dhe partia Lëvizja Socialiste për Integrim “Për fillimin e procedurave për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 13.10.2019”.
Në lidhje me këtë, dy ditë më herët, anëtari i KQZ-së, Bledar Skënderi ka deklaruar se me datë 13 tetor nuk ka zgjedhje dhe se për këtë institucion është zyrtarisht ditë pushimi. Skënderi ka deklaruar se nëse 13 tetori do të ishte një datë normale zgjedhjesh, puna duhet të kishte gjashtë muaj më parë, gjë e cila nuk ka ndodhur, pasi 30 qershori është “kapitull” i mbyllur për KQZ-në, ndërsa sipas Kodit Zgjedhor subjektet politike duhet të regjistrohen për zgjedhje 70 ditë përpara, afat i cili mbaron më 4 gusht.