Nis jozyrtarisht gara për zëvendësimin e Johnsonit/ Kush do të marrë drejtimin e Britanisë së Madhe

BOTA


Gara për të zëvendësuar Boris Johnsonin në postin e kryeministrit britanik, ka filluar jozyrtarisht.

Johnson, të enjten, ka dhënë dorëheqje si lider i Partisë qeverisëse Konservatore, ndërsa ka thënë se do të mbetet kryeministër derisa të zgjidhet pasardhësi i tij.

Tom Tugendhat është deputeti i fundit konservator që ka shfaqur interesimin për lidership, duke iu bashkuar në këtë ambicie prokurores së përgjithshme, Suella Braverman, dhe deputetit Steve Baker.

Plani për zgjedhjen e kreut konservator do të konfirmohet javën e ardhshme, ndërsa kryeministri i ri pritet të zgjidhet deri në shtator.

Johnson ka dhënë dorëheqje pas një sërë skandalesh etike në qeverisjen e tij.

Së voni, ka pasur akuza se Johnson ka mashtruar publikun në lidhje me sjelljen e papërshtatshme seksuale të një ligjvënësi konservator, për të cilën është thënë se ka qenë në dijeni.

Përpara dorëheqjes së tij, gati 60 deputetë konservatorë të niveleve të ndryshme kanë dhënë dorëheqje brenda dy ditësh, duke vënë në pikëpyetje funksionimin normal të Qeverisë.

Në fjalimin e dorëheqjes, Johnson ka thënë se është vullneti i partisë së tij që ai të largohet.

Mediat kanë lakuar edhe emra të tjerë si pasues të mundshëm të Johnsonit – në mesin e tyre: sekretarja e Jashtme, Liz Truss, ish-sekretari i Jashtëm, Jeremy Hunt, sekretari i Mbrojtjes, Ben Wallace, e të tjerë.



Skip to toolbar