Buxheti per vitin e ardhshëm pritet të jetë më i madhi i viteve të fundit.Shpenzimet për vitin 2025 parashikohen në vlerën e 8.2 miliardë euro ose 822.7 Miliardë lekëve duke pësur një rritje të konsiderueshme me të paktën 600 milionë euro në krahasim me këtë vit.
Të ardhurat buxhetore për vitin 2025 parashikohen në masën 754.6 miliardë lekë ose 28.8% e PBB-së.Po ashtu qevria parashikon një ulje të konsiderueshme të nivelit të borxhit publik në rreth 55.8 për qind në vitin 2025. Investimet publike dhe vijimi i projekteve kryesore në infrastrukturë do të jenë një ndër shtyllat kryesore në këtë buxhet.
Sipas buxhetit të vitit të ardhshëm parashikohet që të vijohet me financimin e një vëllimi të konsiderueshëm investimesh publike prej mesatarisht 6.1% të PBB, të cilat përqëndrohen në financimin e projekteve me rëndësi strategjike dhe të lidhura me planin e rritjes së BE-së.Shpenzimet e planifikuara i kushtojnë një vëmendje të veçantë dixhitalizimit, transportit, sigurisë kombëtare, shëndetësisë, arsimit dhe të bujqësisë e zhvillimit rural.
Në projektbuxhetin e vitit 2025, programimi i të ardhurave buxhetore bazohet në përmirësimin e administrimit fiskal dhe minimizimin e informalitetit ne ekonomi. Ekonomia e vendit parashikohet të zgjerohet gjatë periudhës afatmesëm 2025-2027, mesatarisht në nivelin 3.9 për qind, ndikuar kryesisht nga kërkesa e brendshme, nga rritja e mëtejshme e konsumit privat, ashtu edhe nga investimet në infrastrukturë si dhe zhvillimi i sektorëve strategjikë si turizmi.