Një gjobë e re, për revolucionin e dështuar

OPINION


Nga Mero Baze

Ilir Meta, ka reaguar në lidhje me raportin e publikuar nga kompania “Fitch Ratings”,  e cila e ka renditur këto ditë Shqipërinë, në vendet me ulje të ndjeshme në qëndrueshmërinë politike, gjë që ka përkeqësuar perceptimin e investitorëve të huaj.


Shkak kanë qenë protestat e dhunshme vitin që lamë pas, tensioni mes partive politike para zgjedhjeve, djegia e mandateve dhe dështimi për t’u hapur negociatat. Nuk është se kompania ka bërë ndonjë gabim në vlerësimin e saj. Edhe shqiptarët që e kanë vuajtur këtë situatë, kanë po atë perceptim. Ajo që është interesante në reagimin e Ilir Metës, ka të bëjë me mënyrën se si e përdor si gjobë për revolucionin e dështuar vlerësimin e kësaj kompanie.

Sipas Metës, meqënëse perceptimi tani për Shqipërinë është negativ, duhet të ulemi të njohim fuqinë e asaj çfarë ai ka bërë vitin që shkoi dhe të bëjmë dialog. Historia e dhunës politike të vitit 2019 është më e pashembullt, se ajo e  vitit 1997. Ajo ndryshe nga vitit 1997, synoi shumë herë më lart, jo vetëm në djegie godinash dhe shkatërrime, por në rrëzim të sistemit dhe institucioneve. Opozita dogji mandatet në përpjekje për të delegjitimuar Parlamentin dhe bojkotoi zgjedhjet në përpjekje për të ndryshuar mënyrën se si zgjidhet pushteti në Shqipëri, duke kërkuar fitore në tavolinë.

Të tjerat pastaj janë pasoja.

Në krye të kësaj përpjekje për destabilizim ishte Presidenti i Republikës, i cili edhe për etikë, ende nuk e ka shfuqizuar dekretin e zgjedhjeve të 13 tetorit të vitit të kaluar, me të cilin tentoi të hedhë në erë Shqipërinë. Natyrisht me aq shumë dhunë, me aq shumë përpjekje për destabilizim dhe aq shumë egërsi ndaj imazhit të Shqipërisë, ky vlerësimi është goxha pozitiv, se mund të ishte dhe më zi.

Tani mirë që është negativ, mirë që është shkaktuar nga njerëz konkretë dhe nga një opozitë e cila po e vuan më shumë se Shqipëria atë që ka bërë, por del dhe kryeautori i kësaj beteje, dhe në vend që të kërkojë falje dhe të dënojë atë që ka bërë, vazhdon e kërkon shpërblimin e asaj që ka bërë. A thua se trazirat në vend, sulmet ndaj zgjedhjeve dhe Parlamentit na i bënë alienët dhe qeveria ka faj që nuk i parandaloi.

Ajo që Ilir Meta kërkon tani nuk është ndonjë krim. Palët mund të ulen në dialog, dhe mund të vazhdojnë përpara, të sillen si politikanë normalë. Por nuk mund të sillen sikur nuk e dinë se çfarë kanë ndodhur. Thirrja për të bërë sikur nuk e dinë çfarë u tentua të bëhet më 30 qershor, është thjeshtë një thirrje e Ilir Metës, për të harruar Ilir Metën.




Skip to toolbar