Një ministre gjermane viziton Tajvanin pas 26 vjetësh

BOTA


Ministrja e Arsimit të Gjermanisë nënshkroi një marrëveshje për bashkëpunim në fushën e teknologjisë me Tajvanin, teksa realizoi vizitën e parë të një anëtari të kabinetit të Gjermanisë në 26 vjet.

Ministrja Bettina Stark-Watzinger nënshkroi Marrëveshjen për shkencë dhe teknologji me Këshillin Kombëtar të Shkencës dhe Teknologjisë së Tajvanit, në ditën e parë të vizitës së saj në Tajvan, teksa Kina e ka dënuar këtë vizitë.

Pekini e cilëson këtë ishull vetëqeverisës si pjesë të territorit të tij dhe thotë se do ta marrë një ditë kontrollin e Tajvanit, edhe me forcë nëse është e nevojshme. Kina vazhdimisht kundërshton vizitat dhe angazhimin e Tajvanit me zyrtarët ndërkombëtarë.

Sa herë ka pasur vizita në Tajvan të zyrtarëve të huaj, Kina ka shfaqur forcën e saj ushtarake dhe ka rritur presionin diplomatik dhe ekonomik, veçmas kur ka pasur vizita të politikanëve nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes në Taipej, Stark-Watzinger tha se “është kënaqësi dhe nder i madh” për të që të jetë ministrja e parë e Qeverisë gjermane që viziton këtë ishull në më shumë se dy dekada.

“Kjo marrëveshje është për përforcimin e bashkëpunimit në bazë të vlerave demokratike, transparencës, reciprocitetit dhe lirisë shkencore”, tha ajo.

Vizita e saj vjen pasi dy muaj më parë një delegacion i lartë i Parlamentit gjerman udhëtoi për në Tajvan, një lëvizje që u kritikua ashpër nga Pekini.

Stark-Watzinger, kur u pyet për kundërshtimet e Kinës për vizitën e saj, nuk pranoi të komentonte.

Ministria e Jashtme gjermane javën e kaluar riafrimoi përkushtimin e saj për politikën “Një Kinë”, pasi me Pekinin ka raporte dypalëshe, por po ashtu mban “raporte të ngushta dhe të mira me Tajvanin”.



Skip to toolbar