Sektori i Antidrogës së Tiranës ka arrestuar dy persona të cilën u kapën duke transportuar lëndë narkotike kanabis.
Në pranga, në kuadër të operacionit “Interruption 2”, ranë shtetasit Kujtim Ukaj, 35 vjeç, banues në Krujë dhe Abdurrahman Rizvani, 26 vjeç, banues në Mat.
Policia pas informacioneve se këta persona po transportonin një sasi lënde narkotike, ndaluan në Luz, Fushë Krujë, automjetet me të cilat po qarkullonin këta shtetas.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me drejtues Kujtim Ukajn, në pjesën e pasme, shërbimet e Policisë kanë gjetur 6 thasë me lëndë të dyshuar cannabis sativa, me peshë totale 60 kilogramë. Automjeti tjetër drejtohej nga shtetasi Abdurrahman Rizvani, i cili kontrollonte rrugën dhe njoftonte Ukajn, nëse kishte prezencë të Policisë.
Në vijim të veprimeve, u shpall në kërkim shtetasi S. D., 28 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale.
Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me 2 automjetet, 2 celularë dhe një shumë parash.
Dy të arrestuarit akuzohen për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.