“Nuk kemi kohë për të humbur”, Rama: Gati për të hedhur hapin e ri kundër KÇK

POLITIKË


Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria do të vazhdojë të punojë me reformat, pavarësisht përgjigjes së BE në lidhje me hapjen apo jo të negociatave. Rama tha se ka diskutuar me presidentin e KiE, Charles Michel edhe për aktin normativ ndaj KÇK (Kap ç’të kapësh”) ku paralajmëroi gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar se qeveria është e vendosur në luftën kundër krimit të organizuar. Rama tha se akti normativ për KÇK-në do të kalojë brenda janarit në Kuvend, ndërsa theksoi se nuk ka kohë për të humbur për të hedhur hapin e ri në luftën kundër krimit të organizuar dhe KÇK-së.

“BE ka një diskutim të brendshëm dhe me gjithë mirënjohjen për vëmendjen, që asnjëherë nuk ka munguar në raport me nevojën time për të përcjellë opinionet e mia qoftë në Paris apo kryeqytetet e tjera, jam i vetëdijshëm se nuk varet nga çfarë themi apo bëjmë ne në këtë moment, por sa dhe si miqtë tanë në BE do të bien dakord për një metodologji të re dhe cila do të jetë qasja e përgjithshme e BE. Pavarësisht e cili do të jetë vendimi i radhës në aspektin e çeljes apo shtyrjes së negociatave, ne do vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë që do të kishim bërë edhe po të ishin hapur negociatat, sepse ne e bëjmë për veten tonë, jo se na e kërkon Parisi apo Haga. Ka një qartësi për faktin se reformat tona po ecin, se rezultat e pritura po vijnë. Kam ndarë me Presidentin edhe ambicien për të hedhur një hap të ri në luftën kundër krimit të organizuar dhe KÇK dhe kështu do të vazhdojmë”, deklaroi Rama.





Skip to toolbar