Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se një grup i ri ekspertësh mund të jetë shansi i fundit për të zbuluar origjinën e Covid-19. OBSH ka emëruar 26 ekspertë për t’u bashkuar me Grupin Këshillimor Shkencor mbi Origjinat e Patogjenëve të Rinj (Sago), raporton BBC
Më shumë se një vit e gjysmë që kur virusi u zbulua në qytetin kinez Wuhan, ende mbetet e paqartë origjina e Covid. Ekipi do të shqyrtojë nëse virusi kaloi nga kafshët te njerëzit në tregjet Wuhan ose “doli” nga një laborator.
Kina e ka hedhur poshtë teorinë e dytë. Në shkurt, një ekip i OBSH -së udhëtoi në Kinë dhe arriti në përfundimin se virusi ndoshta e kishte origjinën nga lakuriqët e natës, por se nevojiteshin më shumë të dhëna. Por drejtori i OBSH -së, Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se hetimi ishte penguar nga mungesa e të dhënave dhe transparencës së Kinës.
Anëtarët e propozuar të grupit Sago përfshijnë gjashtë ekspertë që vizituan Kinën si pjesë e ekipit të mëparshëm. Përveç koronavirusit, Sago gjithashtu do të shqyrtojë origjinën e patogjenëve të tjerë me rrezik të lartë.
Michael Ryan, drejtori i urgjencave të OBSH -së, tha se puna e Sago mund të jetë “shansi i fundit për të kuptuar origjinën e këtij virusi”. Njoftimi vjen pasi CNN raportoi se Kina po përgatitej të testonte mijëra kampionë gjaku të banorëve të Wuhan.
Por Chen Xu, ambasadori i Kinës në OKB, tha se puna e Sago nuk duhet të “politizohet”.
“Ka ardhur koha për të dërguar ekipe në vende të tjera,” tha ai.