Kryeministri Rama shtroi mbrëmë darkën zyrtare të samitit “Open Balkan” me Presidentin Vuçiç dhe Kryeministrin maqedonas Zaev në Elbasan.
Por ajo që bie në sy është prezenca në këtë samit e James C. O’Brien, kreut të Zyrës së Koordinimit të Sanksioneve në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, i cili është në rang ambasadori, njëkohësisht edhe përfaqësues i Këshillit Atlantik. Prezenca e tij në takimin e “Open Balkan” në Tiranë ndodh në një periudhë kur ish-Kryeministri Sali Berisha është shpallur “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ndërsa nuk ka kursyer akuzat ndaj Sekretarit Blinken si të ndikuar nga Xhorxh Soros për këtë vendim.
Zyra që drejton James C. O’Brien është pikërisht ajo që propozon sanksione ekonomike dhe financiare ndaj personave të shpallur “non grata”. Ishte pikërisht kjo zyrë që propozoi sanksionet ekonomike dhe financiare ndaj grupit të afaristit serb Zvonko Veselinoviq në Veri të Kosovës. Në urdhrin ekzekutiv të Presidentit Biden kërkohet bllokimi i pronës dhe pezullimi i hyrjes në SHBA të personave të caktuar, që kontribuojnë në situatën destabilizuese në Ballkanin Perëndimor. Presidenti Biden deklaron se persona të tillë përbëjnë një kërcënim të pazakontë për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara./panorama