Osmani konfirmon pjesëmarrjen e Kosovës në Samitin për Demokraci

KOSOVA


Ndonëse u tha se Kosova nuk ishte e ftuar, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka konfirmuar të hënën ftesën për pjesëmarrje në Samitin për Demokraci, të organizuar për herë të parë nga presidenti amerikan, Joe Biden.

Ky Samit do të zhvillohet virtualisht më 9-10 dhjetor, dhe në të do të marrin pjesë liderë nga shumë vende të botës, pjesëtarë të shoqërisë civile dhe sektori privat.

Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, Osmani ka thënë se e ka kuptuar javën e kaluar se Kosova do të jetë pjesë e këtij Samiti, pas disa takimeve që ka realizuar në Uashington.

Osmani ka publikuar në Facebook ftesën zyrtare nga Presidenti Biden.

“Republika e Kosovës është shembull i ndritur i përpjekjeve të vazhdueshme për liri e demokraci. Si e tillë është model për rajonin tonë dhe më gjerë”, ka thënë mes tjerash Osmani.

POSTIMI I PLOTË
Falënderoj Presidentin Biden për ftesën në Samitin për Demokraci të organizuar nga Shtëpia e Bardhë si dhe vlerësimin për partneritetin e ofruar nga Kosova për të punuar drejt fuqizimit të shoqërisë demokratike që respekton të drejtat e njeriut, të cilat ia mundësojnë secilit qytetar ta përmbush potencialin e vet.

Pas takimeve produktive të javës së shkuar në Washington, në të cilat jam njoftuar se Kosova do të jetë pjesë e këtij Samiti, jam e nderuar ta pranoj ftesën nga Presidenti Biden.

Republika e Kosovës është shembull i ndritur i përpjekjeve të vazhdueshme për liri e demokraci. Si e tillë është model për rajonin tonë dhe më gjerë. Kosova do ta ndajë përvojën e saj të veçantë në ndërtimin e institucioneve dhe praktikave demokratike, në partneritet të jashtëzakonshëm me miqtë tanë ndërkombëtar – ku rol prijatarë kanë pasur Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Jam e lumtur që në emër të Republikës së Kosovës do t`i prezantoj të arriturat dhe sfidat që i kemi, si dhe do të angazhohemi bashkërisht që gjatë 12- muajve të ardhshëm ta zbatojmë një plan ambicioz për fuqizimin e mëtejmë të demokracisë sonë të re në mënyrë që qytetarët tanë t`i ndjejnë përfitimet e një udhëheqjeje demokratike të bazuar në sundim të ligjit, të drejta të njeriut dhe gjithëpërfshirje shoqërore.

255743513 436675421150336 7228439484512887917 N

Më 12 nëntor edhe kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, e ka konfirmuar pjesëmarrjen e Serbisë në këtë Samit. Samiti për demokraci do të ketë tri tema kyçe: mbrojtjen kundër autoritarizmit, adresimin dhe luftimin e korrupsionit dhe avancimin e respektimit të të drejtave të njeriut.

Pas takimit të parë dhe konsultimeve në të, Biden do të ftojë liderët botërorë sërish, që të diskutojnë rreth përparimit të bërë.



Skip to toolbar