Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani në seancën e veçantë me rastin e Ditës ndërkombëtare të përkujtimit dhe nderimit të viktimave të krimeve të gjenocidit deklaroi se Serbia kreu gjenocid. Osmani tha se Kosova kërkon drejtësi për viktimat dhe se duhet të bëhet kthimi i trupave të tyre pranë familjarëve.
“Dhuna mbi viktimat e gjenocidit serb është sistematike, nga vrasja e viktimave e deri në fshehjen e tyre. Praktika sistematike e zhdukjes me dhunë është krim kundër njerëzimit dhe element i gjenocidit. Serbia duhet të jep informata për dhunën sistematike ndaj viktimave dhe vend ndodhjen e qytetarëve tonë të pagjetur”, pohoi Osmani. Kryeparlamentarja theksoi se ne jemi këtu për të dëshmuar se krimi i kryer nuk mund të fshehët, dhe fshehja e krimit është krim i dyfishtë.
“Ne nuk mund të heshtim përderisa lotët e këtyre nënave po vazhdojnë edhe sot. Zëri i këtyre viktimave nuk mund të heshtet”, tha Osmani. Ajo theksoi se regjimi i sotëm serb po i fesh ende dhe ata vazhdojnë të jenë historia më e trishtë e këtij vendi. “Historia nuk do të na falë nëse ne tentojmë të hapim një kapitull të ri pa e lexuar e rilexuar me kujdes kapitullin e së djeshmes”, tha Osmani.