Paolo Rossi “mbërrin” në Tiranë/ Rama: Futbollist që shkoi përtej limiteve, por s’e humbi kurrë buzëqeshjen

AKTUALITET


TIRANË– Në Muzeun Historik Kombëtar në Shqipëri është hapur ekspozita unikale e koleksionit të jashtëzakonshëm të Paolo Rossit, djalit të artë të futbollit italian, që ngriti peshë edhe zemrat e tifozerisë shqiptare në vitet 70-80, e që ka shkëmbyer bluzat e tij me ato të legjendave të tjera botërore të atyre viteve.

Në këtë ekspozitë ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, i cili tregoi lidhjen e veçantë që kanë shqiptarët me futbollin dhe veçanërisht me Italinë.

Duke folur në gjuhën italiane, në nder të Paolo Rossit, Rama u shpreh se shqiptarët e kanë përjetuar ndryshe triumfin e Italisë në botërorin e 1982, pasi vendi ishte i izoluar për shkak të regjimit komunist.

“Në këtu në Shqipëri kemi përjetuar futbollin në një mënyrë shumë të ndryshme dhe kemi shijuar triumfin e Italisë në Botërorin e 1982, në një moment komplet ndryshe, sepse ne ishim jashtë bote dhe nuk kishim mundësinë të udhëtonim, s’kishim mundësinë që të shikonim televizionin përveç ekranit të propagandës së regjimit që ishte, dhe e vetmja dritare që hapej si me magji, në këtë botë ishte kur rrjetat e errëta të Rai transmetonin futbollin dhe për këtë arsye, që vetëm futbolli mund të shikoje dhe lejohej. Për ne futbolli ka qenë më tepër se sa ndeshje dhe topi, për ne ka qenë imazh i një bote tjetër, ka qenë prania e një jete tjetër”, tha Rama.

Duke vlerësuar figurën dhe rolin e Paolo Rossit, Rama tha se futbollisti italian shkoi përtej limiteve, por asnjëherë nuk e humbi magjinë e buzëqeshjes duke e prezantuar futbollin në gjithë dimensionin e tij, edhe përtej 90 minutave të luajtura në fushën e blertë.

“Dua të ftoj të gjithë , që duan të vijnë dhe ta shijojmë këtë ekspozitë. Futbolli hyn në çdo shtëpia, të paktën së paku nga një anëtar i një familjeje. Nëse vihet këtu dhe shikohen këto foto në bardh e zi, pjesa tjetër mund ta kuptojë më tepër, për forcën e futbollit, jo vetëm ajo që ndodh për 90 minuta, por edhe asaj që sillet rreth komunitetit si një forcë për të gëzuar dhe për të ndryshuar kultura dhe Paolo Rossi ishte një që shkoi përtej limiteve, por asnjëherë nuk e humbi buzëqeshjen”, tha ai.



Skip to toolbar