Parti të re? Përgjigjet Alibeaj në “Real Story”: E gjithë kjo energji, do duhet konvertuar për të ndërtuar diçka tjetër

Më të fundit


TIRANË- Deputeti Enkelejd Alibeaj, i ftuar në “Real Story” theksoi se pas vendimit të Gjykatës së Apeli, grupi i cili është mërzitur, do duhet t’i konvertojnë energjitë e tyre për të ndërtuar diçka tjetër, duke lënë të hapur mundësinë e krijimit të një partie të re.

I pyetur nëse ka kapacitetin dhe lidershipin për ta bërë një gjë të tillë Lulzim Basha, Alibeaj tha se kushdo që ka qëndruar dhe ka dhënë kontribut në këto tre vite mund ta bëjë një hap të tillë.


Ai theksoi se krijimi i një subjekti të ri partiak, do të ishte konkretizimi i ndarjes më krahun dhe grupimin e Sali Berishës, të cilin Gjykata e Apelit e njohu si kryetar të Partisë Demokratike.

I pyetur nëse ka ndonjë emër konkret për subjektin e ri politik, Alibeaj tha se para se të emërtohet, do duhen bërë disa llogari të tjera, të cilat sipas tij janë gati dhe është koha për të krijuar një model tjetër, përtej dëshirave të kryetarit.

Pjesë nga intervista:

Duhet t’ua japim këtë kredit që ju iniciuat betejën e vërtetë reale brenda PD.

Enkelejd Alibeaj: Dhe kjo nuk është pak.

Jo, nuk është pak, thjesht duhet çuar deri në fund.

Enkelejd Alibeaj: Pikërisht pra, ndaj edhe pyetja juaj ç’do të ndodhë? Po është detyrim, jo një zgjedhje e lirë e jona për ta bërë ose jo. Jo, duhet bërë dhe duhet bërë tani. E gjithë kjo energji, po fut brenda po të duash edhe zhgënjimin, që patën këta njerëz nga ai vendim I gjykatës që u dha, nuk kam dashur asnjëherë që ta hedh të gjithë zhgënjimin te gjykata jo, të gjithë këtë energji, do duhet konvertuar në një energji konstruktive, për të ndërtuar diçka tjetër.

A e bën dot më këtë z.Basha?

Enkelejd Alibeaj: S’e kuptoj pse ma bën gjithmonë pyetjen për z.Basha. Këtë gjë mund ta bëjnë të gjithë ata të cilët qëndruan në këto tre vite, që kanë kontributin e tyre dhe kjo është të jesh antiberishist të mos personalizosh as përgjegjësinë dhe as meritat. Mund ta bëjë e gjithë ajo pjesë e PD së dikurshme apo edhe jashtë PD që mbështeti. E mendoj që duhet të jetë propocionalisht me atë se çfarë kërkon ky model. Kërkon një model të ri, një model ndryshe.

Një model kolegjial ?

Enkelejd Alibeaj: Tani këto janë teknikalitete se si mund të jetë. Mund të jetë kolegjial ose mund të jetë individual kjo pak rëndësi ka. Procesi se si arrihet në këtë konkluzion duhet të jetë i tillë që t’i përfshijë të gjithë. Ndoshta secili nga ne edhe mund të sakrifikojë diçka, po themi nga pozicioni i mëparshëm që kishte. Unë psh, mund të mos jem në pozicionin e mëparshëm, ki është moment sakrifice.

Akti i parë, z.Alibeaj do ishte themelimi i një partie të re.

Enkelejd Alibeaj: Dakord, jam plotësisht dakord. Duhet një subjekt i ri.

A do ishte krijimi i një partie të re, akti real dhe final i një divorci me Sali Berishën?

Enkelejd Alibeaj: Jo vetëm, ai mund ta konkretizojë. Ndërkohë akti real është ta bësh të qartë me retorikë që me atë kulturë politike të mënyrës së menaxhimit të partisë ti nuk ke të bësh më, kjo është më e rëndësishme. Duke shtjelluar këtë ide po, krijimi i një subjekti të ri e bën distancimin të qartë.

Ka një ide konkrete për këtë? Ka një emër?

Enkelejd Alibeaj: Emër partie? Se është shumë e vogël për ta diskutuar.

Se një herë u fol partia euroatlantike, pastaj PED …

Enkelejd Alibeaj: Ajo që unë mendoj është që.. po, për të krijuar një subjekt të ri gjëja e parë do shohësh disa elementë. I ke elementët apo jo, ke betejën, ke strukturën, ke kauzën, programin po të duash ke edhe detyrimin moral për të mos I lënë njerëzit dhe jo vetëm ata që të ndoqën por edhe ata që të dielën e zgjedhjeve rrinë në divan, apo shkojnë në plazh, por që iu ke zgjuar paksa nervin se dicka mund të ndryshojë, pra ke një detyrim të madh. Të gjithë këta element janë, tashmë për ta formësuar këtë subjekt të ri, unë besoj që të gjithë duhet të jenë pjesë dhe me matur dhe pjekuri politike do duhet ti japin formë emërtesë po të duash, logo, emër, mënyrë menaxhimi siç momenti e kërkon, një model përmbajtje por edhe në formë me modele të cilët ti nuk je dakord. Me ata modele që I ke, ke Ramën, Berishën, modeli i njëshit.

Te bipolarizmi kemi edhe Metën, mos e harrojmë edhe këtë. ..

Enkelejd Alibeaj: Meqë e ke merak fute. Ajo që doja të shtoja është që edhe koha e reflektimit edhe koha e pjekurisë së mendimit nuk do duhet të zgjatet. Me një situatë tjetër edhe ndoshta sepse nuk janë akte të thjeshta

Po ke zgjedhjet..

Enkelejd Alibeaj:  Por në momentin ku je, kur ke vetëm 10 muaj te zgjedhjet dhe kur je nën sulm, ta them unë je nën agresion nga ana e Sali Berishës, për të thithur këtë pjesë dhe është pjesa më e pastër..

Siç e thatë edhe ju, pala tjetër bën gallatë nga lart, ndoshta fut edhe ndonjë gisht lart e poshtë që e përzien…

Enkelejd Alibeaj: Për më tepër që bën edhe këtë që juve thoni, ndaj do duhet ecur një orë e më parë me këtë subjekt të ri, të qartë. Nuk është testi vetëm për të krijuar subjektin e ri, por është pakti, fryma, vlerat që do vendosin eventualisht për të cilat do tu rrimë rreth e rrotull dhe do ti mbajmë në mënyrë të fortë , ne duhet t’u shërbejmë atyre. Kjo është e rëndësishme them unë./ abcnews.al




Skip to toolbar