Opozita nuk e njeh dekretin e Presidentit Meta për zgjedhje në 13 tetor. Kreu i PD, Lulzim Basha ka deklaruar se pavarësisht se Ilir Meta shtyu zgjedhjet që opozita të jetë pjesëmarrëse, nuk do të marrë pjesë as në zgjedhjet e 13 tetorit me Ramën Kryeministër, duke treguar qëndrimin që i kishte shfaqur Presidentit për datën e re të zgjedhjeve, ndërsa më herët, SHBA ishte shprehur qartë se njihte 30 qershorin si datë zgjedhjesh, duke injoruar dekretin për datë të re zgjedhjesh të Presidentit Meta.
Goditja e dytë, Metës i vjen pikërisht nga opozita, të cilën e kishte marrë në mbrojtje që me 10 qershor kur shpalli dekretin për anulimin e 30 qershorit, me pretendimin se po ndalonte zgjedhjet monopartiake, por që një veprim i tillë u mirëprit vetëm prej tyre.
“Sot Presidenti Meta ka dekretuar një datë të re për zgjedhjet lokale. Dua të ndaj me ju atë që i bëra të ditur Presidentit Meta në takimin e sotëm. Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar nuk merr pjesë në asnjë proces zgjedhjesh dhe në asnjë diskutim për zgjedhje, nuk merr pjesë në asnjë diskutim për zgjidhje politike apo për reforma apo për çfarëdo formule pa dalë para drejtësisë të gjithë ata që janë përfshirë në vjedhjet e zgjedhjeve në bashkëpunim me krimin. Fundi i pandëshkueshmërisë së politikanëve të lidhur me krimin është kushti i panegociueshëm që ne t’u kthehemi proceseve politike. Ne nuk bëjmë marrëveshje me Edi Ramën, në asnjë rrethanë dhe në asnjë kusht. Në as nuk diskutojmë më me Edi Ramën në asnjë rrethanë. Tashmë ikja e tij është e vetmja rrugë për të zgjidhur krizën”, deklaroi Basha.
Por veç mosnjohjes së dekretit të Metës, Basha tha se nuk njeh as 30 qershorin, duke deklaruar se opozita do të bëjë gjithçka që 30 qershori të hyjë në histori si dita fatale e pushtetit të Edi Ramës. “30 qershori nuk ka asnjë lidhje me zgjedhjen. 30 qershori nuk ka asnjë lidhje me njerëzit. 30 qershori nuk është dita e vullnetit të njerëzve. Është thjesht dita kur aleanca krim-qeveri mendon se do të forcojë pushtetin e saj. Por 30 qershori është dhe do të jetë nul. Ai do t’i japë goditje të rëndë pushtetit të Edi Ramës dhe krimit. Ne do të bëjmë çdo gjë që mundemi që 30 qershori të hyjë në histori si dita fatale e pushtetit të Edi Ramës. Ju ftoj të gjithëve të jeni të matur dhe të kini besim tek kauza jonë, tek forca jonë. Unë e di që shumë prej jush janë të revoltuar, shumë prej jush vuajnë direkt pasojat e regjimit kriminal të Edi Ramës. Juve dua t’ju them se me përpjekjet tona ne e kemi plagosur për vdekje regjimin e Edi Ramës. Shumë shpejt ky regjim do të mbarojë. Ne kemi treguar kurajë dhe forcë së bashku. Ne kemi treguar se e duam lirinë dhe demokracinë. Këtë do të tregojmë edhe më 30 qershor”, tha kryedemokrati Basha.