Presidenti Meta do të padisë të hënën kreun e KED-së, Ardian Dvoranin të cilin e akuzon për shpërdorim detyre dhe marrje kompetencash, por përveç tij presidenti kërcënon se do të padisë të tjerë zyrtarë për të cilët madje po mbledh “prova përvëluese” dhe po përgatit edhe video me fakte të pakundërshtueshme.
“Pa asnjë diskutim, ditën e hënë do të bëhet kallëzimi penal, madje po administrohen prova të reja përvëluese, që shtojnë mundësinë për të patur edhe padi për persona e zyrtarë të tjerë.
Gjithashtu, ju bëj me dije se brenda javës Institucioni i Presidencës do të publikojë një VIDEO me fakte të pakundërshtueshme për opinionin vendas dhe botëror, që të mos ngelet asnjë analfabet në planet, i cili të mos e kuptojë dhunimin që një bandë ka tentuar t’i bëjë Kushtetutës dhe Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.
Kjo VIDEO me prova të pakundërshtueshme, do zbulojë fytyrën e vërtetë të një individi të papërgjegjshëm, i cili guxoi në mënyrë të tmerrshme kriminale t’i përvetësojë kompetencat kushtetuese Presidentit të Republikës, që as noterja e nderuar znj.Miranda Xhemalçe nuk pranoi ta bënte, pasi e dinte shumë mirë se betimi me dorën mbi Kushtetutë bëhet vetëm në Institucionin e Presidentit të Republikës dhe askund tjetër”, njofton presidenca.
Sigurisht që ka dhe një mesazh për ndërkombëtarët që mbështesin reformën në drejtësi. Sipas Metës ata po mashtrohen, ndaj dhe njofton se video në fjalë, po përgatitet edhe në gjuhë të tjera europiane në mënyrë që të kuptohet nga ndërkombëtarët, të cilët nuk duhet të mashtrohen më me “suksesin” e reformës në drejtësi.
“Përveçse në gjuhën tonë të bukur shqipe, kjo VIDEO, po përgatitet edhe në anglisht, në gjermanisht, në italisht, në frëngjisht, dhe në disa gjuhë të tjera europiane, në mënyrë që të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë, që janë të interesuar, jo vetëm për realizimin me sukses të Reformës në Drejtësi, që u votua me konsensus, por edhe që janë kaq të shqetësuar për problemet skandaloze të funksionimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri, të mos mashtrohen më.
Në këtë mënyrë, jo vetëm mbrojmë Kushtetutën e Republikës dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve shqiptarë, por edhe tregojmë përgjegjshmëri për të gjithë taksapaguesit e vendeve partnere, që paguajnë aq shtrenjtë që ky vend i NATO-s dhe nesër i BE-së, të arrijë standardet e tyre, të shtetit ligjor dhe të demokracisë”, njofton presidenca.
Gjatë konferencës për shtyp të së premtes, Presidenti Meta njoftoi se do të padisë penalisht kreun e KED-së, të cilin e akuzoi për shkelje të Kushtetutës, marrje të kompetencave dhe shpërdorim detyre për rastin e emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Konflikti mes Metës dhe kreut të KED-së shpërtheu kur KED emëroi Arta Vorpsin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese, pas përfundimit të afatit 30 ditor që kishte në dispozicion Meta. Por Presidenti tha se Kushtetuta nuk i vendos atij afate ndaj dhe emëroi për të njëjtin post Marsida Xhaferllarin. Më pas presidenti e cilësoi mafioz dhe që vepron sipas urdhrave të qeverisë, kreun e KED, dhe tha se do ta padisë penalisht. Por siç duket paditë e Metës do të vazhdojnë edhe me persona të tjerë.