“Dvorani, simbol korrupsioni”, por Basha kërkon ndjekje penale për Ramën

AKTUALITET


Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ndan të njëjtin qëndrim me presidentin Meta lidhur me “vlerësimin” që kanë për kreun e KED-së, Ardian Dvorani. Basha tha nga Devolli ku vijon turin e takimeve me fermerët, se Dvorani është simbol i korrupsionit, është masha e Edi Ramës dhe i pari që duhet të shkojë për ndjekje penale është pikërisht kryeministri dhe gjysma e kabinetit të tij qeveritar. Ndryshe nga Meta i cili të hënën do të depozitojë padi penale për Dvoranin, Basha kërkon që edhe Rama të ndiqet penalisht.

“Njësoj siç paracakton tenderat, paracakton edhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, pa garë, ata që do Ardian Dvorani, simboli i korrupsionit dhe i kapjes së shtetit, vegla dhe masha e Edi Ramës që nuk do të lërë institucion pa kapur sepse ai e ka jetike t’i kapë institucionet.


Nëqoftëse institucionet funksionojnë i pari që duhet të shkojë për ndjekje penale, për dhjetëra vepra penale është Edi Rama dhe gjysma e kabinetit dhe ish-kabinetit të tij qeveritar.

Prandaj ai e ka jetike të kapë drejtësinë, të bllokojë reformën në drejtësi, prandaj ai cakton si kukulla prokurorë, gjyqtarë, Gjykatë Kushtetuese”, tha Basha.

Kreu i PD-së akuzoi qeverinë se ka braktisur fermerët, të cilët nuk kanë mbështetje financiare për shkak se Rama i ndan paratë, sipas Bashës, me oligarkët.

“Është bujqësia e braktisur, është fermeri i nënshtruar presionit, terrorit të shtetit, janë taksat dhe kostot e papërballueshme të cilat e bëjnë punën tuaj të pavlerë në këtë treg. Në vend që frytet e djersës tuaj të kthehen në mallra cilësore, në prodhime të freskëta, me kosto të përballueshme për qytetarët, në ushqime cilësore për fëmijët tanë dhe të sjellin fitime për punën kaq të lodhshme të fermerit shqiptarë, ato përfundojnë në kanal, përfundojnë të pashitura. Dhe kjo e gjitha sepse sektori i bujqësisë dhe blegtorisë është sektori më i braktisur, më i shkelmuar nga kjo qeveri. I braktisur pa mbështetje, pa subvencione, i braktisur sepse taksat e larta dhe çmimet e larta në veçanti të naftës dhe të energjisë e bëjnë të pakonkurrueshëm prodhimin tonë me prodhimin e huaj, pasi vijnë në treg me çmime më të larta, me kosto më të larta.

Kjo qeveri ka mbyllur sytë dhe veshët dhe flet me propagandë, të gjithë paratë e buxhetit i jep një grushti oligarkësh”, tha Basha në Devoll.




Skip to toolbar