Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli do të vijë në Shqipëri muajin e ardhshëm. Në një deklaratë për mediat lëshuar nga PE thuhet se Sassoli do të vijë në datat 2 dhe 3 dhjetor në Tiranë, ndërsa në 4 dhe 5 nëntor do të jetë në Shkup.
Kjo vizitë e presidentit të PE-së vjen pas ftesës që Rusia u bëri dy shteteve të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Pasi BE u mbylli dyert Përfaqësuesi i Përhershëm i Rusisë në BE, Vladimir Chizhov ftoi Shqipërinë dhe Maqedoninë që të bëhen anëtare të Bashkimin Ekonomik Eurasian (EEU), duke theksuar madje se do të kenë më shumë benefite.
Menjëherë pas kësaj deklarate BE merr masat dhe njofton vizitën e Sassolit në Tiranë dhe Shkup.
Sassoli vjen me mesazh të qartë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ku thekson se të dy vendet nuk duhet të ndalen në përpjekjet e tyre në rrugën evropiane edhe pse nuk u hapën negociatat në Samitin e fundit të liderëve të Bashkimit Evropian.
Sassoli në fjalën e tij para vizitës është shprehur se Shqipëria dhe fqinji i saj e meritonin plotësisht hapjen e negociatave por pavarësisht Franca vendosi veton.
“Vizita në Maqedoninë e Veriut, dhe shumë shpejt në Shqipëri, ka një rëndësi më të lartë për mua personalisht në këtë moment. Ne e dimë që popullsia në të dy vendet është zhgënjyer shumë nga dështimi i Këshillit për të rënë dakord për hapjen e bisedimeve të pranimit për shkak të vetos së disa shteteve anëtare. Ne e kuptojmë dhe e ndajmë këtë zhgënjim. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë zbatuar reformat që ne kërkuam prej tyre dhe tani meritojnë të shpërblehen për përpjekjet e tyre të jashtëzakonshme. Për më tepër, dua t’u bëj thirrje qytetarëve dhe veçanërisht brezit të ri: Mos hiqni shpresën, ju lutemi qëndroni në rrugën evropiane. Parlamenti Evropian qëndron me ju.
Me një shumicë të madhe votash, Parlamenti Evropian ka ritheksuar mbështetjen e tij të plotë për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë një javë më parë. Ne nuk do të heshtim por i nxisim shtetet e BE të marrin një vendim unanimisht në favor të bisedimeve të pranimit në takimin e ardhshëm.
Ndërkohë, ne i inkurajojmë të dy vendet të vazhdojnë në rrugët e tyre të reformës. Jemi të bindur që, përkundër shtyrjes, kjo kohë nuk harxhohet. Reformat e kryera në rrugën e anëtarësimit të plotë në BE janë në interesin më të mirë të vendeve dhe qytetarëve të tyre, dhe do të përfitojnë para së gjithash dhe brezin e ri që meriton një të ardhme më të mirë”, është shprehur Sassoli në prag të kësaj vizite.