Lirimi nga burgu i Indrit Dokles, ka “shtuar oreksin” e Emiljano Shullazit dhe anëtarëve të bandës së tij të cilët kanë kërkuar ndryshimin e masës duke kërkuar lehtësim të saj. Aktualisht Shullazi ndodhet në burg dhe ka kërkuar lirimin nga qelia për të vijuar gjykimin në apel me një masë më të lehtë.
Shullazi me grupin kërkojnë zëvendësimin e masës me argumentin se prokuroria e posaçme nuk ka dalë me vendim për riaktivizimin e masës së sigurisë dhe sipas tyre qëndrimi në burg po mbahet nga një institucion i ri, me një vendim të një institucioni të vjetër sikur ishte gjykata e krimeve te renda.
Seanca kur do të merret vendimi do të zhvillohet të martën (sot) në orën 12:00, ndërkohë që procesi gjyqësor ndaj tij ka ngecur që prej 1 viti në gjykatën e Apelit. Emiljano Shullazi u dënua nga gjykata e shkallës së parë me 14 vite burg, ndërsa grupi i tij u dënua në total me 55 vite për akuzën e krijimit të grupit të strukturat kriminal, gjobvënie dhe kanosje për shkak të detyrës. Pas këtij vendimi, Shullazi e ankimoi çështjen në apel, ku prej një viti çështja vijon të shtyhet për arsye të ndryshme.
Kërkesa për ndryshimin e masës së sigurisë vjen pas disa vendimeve për lirimin e disa të dënuarve me burgim të përjetshëm, ku duket se dhe Shullazi kërkon të njëjtat përfitime. Së fundi lanë qelinë disa anëtarë të bandës së Durrësit, Indrit Dokle, Sardian Sulejmani, si dhe Ergys Kolaveri.