Zbardhet urdhri i dëbimit të gylenistit Harun Çelik. Nuk pati kohë për apelim

AKTUALITET


Rreth tre javë pas dëbimit nga Shqipëria, të mësuesit turk Harun Çelik, i dyshuar si mbështetës i lëvizjes “Gylen” në Turqi, është zbardhur urdhri i dëbimit. Sipas dokumentit të publikuar nga Balkanweb, mësuesit Harun Çelik nuk i është lënë asnjë ditë kohë për apelim, duke e larguar në mënyrë të menjëhershme nga Shqipëria.

“Afati i largimit nga territori jo më shumë se 0 ditë nga dita e njoftimit”, thuhet në urdhrin e dëbimit. Megjithatë, në një tjetër pikë të këtij urdhri thuhet se Harun mund të bëjë ankimim sipas ligjit për të huajt. “Kundër këtij urdhri mund të bëhet ankesë mbështetur në nenin 122 të ligjit nr.108/2013 ‘Për të huajt’”.


Por, shtetasi turk nuk ka pasur kohë në dispozicion për të kryer apelimin, pasi ai u dëbua nga Shqipëria në datën 1 janar. Gjithashtu, sipas shkresës, thuhet se mësuesi turk nuk i plotëson kushtet e qëndrimit në Shqipëri. Mësuesit turk, Harun Çelik nuk i lejohet të futet në Republikën e Shqipërisë për një periudhë 5-vjeçare.

Ai u dëbua për në Turqi, pasi në vendin tonë vuajti dënimin për veprën penale “falsifikim i dokumentave”. Ai tentoi gjatë vitit 2019 të kalonte nëpërmjet Shqipërisë, pikës kufitare të Rinasit, për në Kanada. Harun Çelik do të përdorte dokumente kanadeze të falsifikuara për t`u larguar, por u arrestua pasi u pikas nga autoritetet shqiptare. Për këtë veprim ai vuajti dënimin me 5 muaj burg.

Harun Debimi



Skip to toolbar