Fill pas mesazhit të presidentit Meta për ironinë dhe fitoren me 85% të opozitës, ka reaguar kryetari i PD-së, Lulzim Basha. Ai shkruan mëngjesin e të hënës se zgjidhja e krizës kalon nga politikanë me pranga në duar. Nuk dihet nëse ky është një mesazh për presidentin, i cili ironizoi Bashën dhe sloganin e tij se opozita ka fituar me 85% në zgjedhjet e 30 qershorit. Por fakti se mesazhi i Bashës u shpërnda në Facebook vetëm pak minuta pas mesazhit të Metës zgjon disa dyshime.
Në postimin e tij Basha sulmon Ramën dhe qeverinë e tij ndërsa thekson se qëndrimi i PD-së është i pandryshuar: zgjedhje të lira pas largimit të Ramës dhe me qeveri teknike.
“Ja si hajduti psiqik vodhi zgjedhjet me krimin e organizuar për të plaçkitur Shqipërinë me ta dhe me oligarkët grabitqarë! Vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme me një qeveri tranzitore pa hajdutin psiqik, dhe ndëshkimi i politikanëve që vodhën zgjedhjet, do ta çlirojnë demokracinë dhe drejtësinë nga kjo bandë kriminale. Kësaj radhe zgjidhja e krizës kalon nga politikanë me pranga në duar!”, shkruan Basha, i cili e shoqëron postimin e tij me një video ku janë përmbledhur përgjimet e publikuara nga BILD, të cilas sipas PD, faktojnë blerjen e votave në zgjedhjet e kaluara.
Ky postim i Bashës përforcon edhe njëherë qëndrimin e tij kundër propozimit të Metës për zgjedhje në 13 tetor, duke faktuar në këtë mënyrë krisjen në marrëdhënien e tyre, ku para 30 qershorit u shfaqën si dy bashkëaleatë ndërsa pas 30 qershorit ndajnë qëndrime krejt të ndryshme.