Krijimi i një Shengeni Ballkanik është mirëpritur edhe nga Franca. Ambasadorja franceze në Tiranë Christine Vasac tha se forcimi i bashkëpunimit mes vendeve të rajonit është i mirëpritur për Francën. Vasac tha se forcimi i marrëdhënieve mes vendeve të rajonit është rruga e duhur edhe për integrimin, por që për të folur më gjatë duhen parë vendimet konkrete që do të merren mes vendeve të rajonit në lidhje me projektin e “Shengenit Ballkanik.”
“Takimi i tyre vazhdon. Nuk mund të kesh një opinion për diçka të cilën nuk e ke të qartë çfarë është. Analizën mund ta bëjmë vetëm pasi të konsultojmë vendimet që merren dhe situata të jetë qartësuar. Sidoqoftë forcimi i marrëdhënieve mes vendeve të rajonit është gjithmonë i mirëpritur. Mendoj që ky është frymëzimi i bisedimeve të sotme. Do t’ju kujtoja që kodi i shengen është shumë i gjerë dhe i përbërë nga qindra faqe. Besoj se nuk bëhet fjalë për të njëjtën gjë. Sidoqoftë nuk ka pse t’i kundërvihemi rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE kundër një iniciative rajonale që për ne është e mirëpritur”, tha ambasadorja franceze nga qyteti i Korçës ku komentoi për herë të parë projektin e Shengenit Ballkanik, që mbajti të dielën takimin e radhës në Samitin e Ohrit. Më herët edhe SHBA, përmes të dërguarit të posaçëm për Ballkanin Perëndimor Matthew Palmer tha se mbështet këtë projekt si një mundësi që rajoni të zhvillohet dhe të bashkëpunojë mes vetes.
Ambasadorja franceze Vasac foli edhe për negociatat dhe veton e Francës, duke thënë se shumë persona në Shqipëri bënë keqinterpretime të saj, por zgjodhi të mos flasë me emra. Ajo tha “se dera është e hapur” dhe Franca nuk ka qenë asnjëherë kundër Shqipërisë.
“Nuk është diçka që bëhet ne diplomaci të tregohet një person me emër. Ne jetojmë në Shqipëri dhe e kemi parë atë që kanë thënë me nxitim disa persona. Doja të përsërisja atë që tha Macron për këtë çështje. Ideja është që duhen marrë iniciativa në mënyrë që të përpiqet të gjendet një mënyrë e re e funksionimit të BE. Kjo është e vlefshme si për anëtarët e BE, një kontekst që në Shqipëri ndoshta nuk mund të kuptohet aq drejtë sa duhet, që ka të bëjë me Brexit dhe është e vlefshme edhe për vendet e ardhshme anëtare. Ai ka thënë se vendet e Ballkanit Perëndimor, mes të cilave është edhe Shqipëria, kanë vokacion që të jenë në të ardhmen në BE. Franca nuk ka qenë asnjëherë kundër. Ka pasur thjesht disa interpretime që nuk korrespondojnë me të vërtetën. Po jua them edhe në shqip, “dera është e hapur”. Kjo do të thotë dy gjëra, së pari që reformat të vazhdojnë dhe të kenë rezultate konkrete. Nuk mjafton të miratohen ligje, ato duhet të zbatohen. Kjo kërkon vullnet politik të të gjithë palëve si të qeverisë ashtu edhe opozitës“, tha Vasac.