“Arena Kombëtare” gati, luhet ndeshja testuese Vllaznia-Apolonia

SPORT


Një javë para ndeshjes Shqipëri-Francë është zhvilluar ndeshja e parë në impiantin e ri “Arena Kombëtare”. Vllaznia-Apolonia për ferma ishte ndeshja testuese e stadiumit të ri, që pret të marrë konfirmimin e UEFA për ndeshjen zyrtare të së dielës së ardhshme.

Në tribunën kryesore janë bërë përshtatjet e kërkuara nga UEFA duke krijuar platformën për mediat dhe gazetarët. Janë përshtatur vendet e kamerave, ndërsa ambientet e brendshme gjithashtu duket se kanë mbetur vetëm disa detaje të vogla. Ndërkohë, në ndeshjen testuese të stadiumit të ri kombëtar, ishte i pranishëm presidenti i FSHF Armand Duka si dhe zyrtarë të tjerë të federatës. Interes të lartë më shumë për të parë stadiumin e ri sesa për ndeshjen, ka pasur dhe nga tifozët. Ata kanë shfrytëzuar mundësinë për t’u futur falas në stadium, duke mbushur me një numër të konsiderueshëm tribunat e stadiumit të ri.


Vlen për t’u theksuar se në ndeshjen e së dielës janë të pranishëm dy inspektorë të UEFA-s, të cilët kanë parë nga afër çdo detaj, për të dhënë më pas “ok” përfundimtar për licencimin e stadiumit. Arena Kombëtare ka kaluar me sukses provën e ndriçimit, audios, akustikës së tifozëve etj. Gjithashtu fusha duket në kushte optimale ndonëse është hera e parë që mbi të luhet futboll. Tashmë pritet drita jeshile që në stadiumin e ri të luhet ndeshja zyrtare pas një jave.




Skip to toolbar