Tërmeti i magnitudës 5.8 me intensitet mbi 6-7 ballë, që goditi rajonin Tiranë-Durrës më 21 shtator ishte më i forti që kur Tirana u shpall kryeqytet në vitin 1920. Inxhinierët pohojnë se ky tërmet duhet të shërbejë si një leksion për institucionet.
Duhet të bëhet me urgjencë vlerësimi sizmik i digave, shkollave, spitaleve dhe institucioneve që shërbejnë si qendra kolektive. Duhet të rinovohen hartat sizmike dhe kodet e projektimit me eurokodet.
Legjislacioni për lejet e ndërtimit duhet të rishikohet, skemat e sigurimit duhet të ngrihen dhe kurrikulat në shkolla duhet të ndryshojnë.
Revista Monitor sjell një artikull përmes të cilit, jo vetëm bën analizën e situatës post tërmetit por pasqyron edhe sugjerimet e inxhinierëve. Në këtë artikull flet Inxhinieri i ndërtimit, Agim Serani, zv.dekan në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit i cili sugjeron që pas tërmetit “është koha të nxjerrim mësime nga bilanci i tërmetit, të cilat përfshijnë një vlerësim të ri për sigurinë sizmike të banesave me rëndësi të lartë publike, si diga, shkolla, spitale, stadiume etj”.
“Shteti dhe institucionet duhet të përfshihen në një analizë të thellë të legjislacionit në drejtim të sigurisë sizmike, kodet e ndërtimit dhe hartat sizmike duhet të rinovohen, produktet e sigurimet nga përmbytjet duhet të masivizohen dhe shoqëria duhet të përgatitet se si duhet reaguar në këto situata”, është shprehur ai.
Nga raporti i fundit operativ i Emergjencave Civile janë raportuar 1528 objekte të dëmtuara, nga të cilat janë shkatërruar plotësisht 50 banesa, kryesisht në zonat rurale, janë plasaritur rreth 160 pallate, një qendër shëndetësore, 34 shkolla, 13 universitete publike. Dëmtimet më të mëdha kanë ndodhur në fshatrat e Durrësit, por edhe të Tiranës, Ndroqit, Vorës, Maminasit, ku banesat janë shkatërruar. Si pasojë e lëkundjeve sizmike, të paktën 105 persona mbetën të lënduar.
Inxhinieri Agim Serani shprehet se pas lëkundjeve të 21 shtatorit, një grup pune duhet të vlerësojë shumë shpejt gjendjen në të cilën ndodhen digat në rajonin Tiranës – Durrës. Vlerësimi duhet shtrirë edhe në të gjitha objektet shkollore dhe spitalore.
Sipas të dhënave nga Komiteti Kombëtar i Digave të Mëdha, momentalisht janë rreth 630 sisteme rezervuarësh me diga në Shqipëri, prej të cilave, 307 konsiderohen ose me diga të larta, me lartësi 15 metër, ose rezervuarë të mëdhenj. Lëvizjet e popullsisë dhe zgjerimi i qyteteve ka çuar në rritjen e përqendrimit të popullsisë dhe vlerave materiale në rrjedhjet e poshtme të lumenjve.
Shpërthimi i tetë digave të mëdha, në zonën qendrore të Shqipërisë, vlerësohet të prekë të gjithë qytetin e Elbasanit, Lushnjës dhe Divjakës (respektivisht mbi 100 mijë, 38 mijë dhe 10 mijë banorë). Digat e mëdha, sidomos në kaskadën e Drinit, janë projektuar të përballojnë një tërmet 9 ballë dhe në përgjithësi digat projektohen për të përballuar tërmete deri në 9 ballë me pritshmëri ndodhjeje, jo më pak se 1000 vjet. Të gjitha digat e ndërtuara në Shqipëri në të gjithë vendin janë projektuar për përballuar më shumë se 8 ballë. Inxhinierët e ndërtimit pohojnë se pas çdo lëkundje, vepra të tilla duhen të kalojnë në një rivlerësim sizmik për shkak se vjetërsia e tyre është më e madhe se 20 vjet.
Inxhinieri Serani këshillon një rivlerësim për sigurinë sizmike të shkollave dhe spitaleve. Nëse tërmeti i datës 21 shtator do të ishte në një ditë jave dhe në një periudhë mësimore në Fakultetin e Gjeologji – Minierave mund të kishte pasur viktima. Nëse do të ishte ditë mësimi, do të kishte shumë plagosur në përpjekje për t’u larguar. Inxhinieri pohon se rivlerësimi i objekteve duhet të bëhet me urgjencë për të vlerësuar në kohë dëmet e tërmetit të 21 shtatorit, në mënyrë që riparimet dhe përforcimet e duhura të bëhen shumë shpejt. Edhe godinat qeveritare duhet të kalojnë një vlerësim të ri sizmik dhe po ashtu, të gjithë spitalet. Serani pohon se objektet informale që janë në proces legalizimi ose jo duhen vlerësuar në këtë aspekt./Monitor