Tërmeti i 26 nëntorit i bëri njerëzit më të ndjeshëm dhe shërbeu që të gjithë të kthejnë sytë nga qielli, madje edhe jo besimtarët nisën t’i luteshin Zotit. Kryeministri e ka shfrytëzuar këtë situatë për të dhënë mesazhe duke iu referuar pikërisht librave të Shenjtë. Janë 7 thënie të marrë nga libra të ndryshëm, si nga Bibla, Kurani, nga besimi i Bektashinjve dhe nga besimi Hindu, të cilëve kryeministri i referohet. Thënia e parë e tij është publikuar më 3 dhjetor, disa ditë pas tërmetit të fuqishëm dhe pasi situata nisi të qetësohej. Rama publikon një thënie nga Ungjilli sipas Mateut ku shkruhet: “Gjithçka doni që të tjerët të bëjnë për ju, bëjeni vetë për ata. Këtu përmblidhet gjithë ligji bashkë me profetët”.
Më pas publikon një thënie nga besimi hindu ku shkruhet: “Zotat do t’ju dhurojnë çka dëshironi. Po kush nginjet nga dhuratat e tyre dhe nuk u dhuron të tjerëve nuk është asgjë tjetër veçse një kusar”, marrë nga Baghavada Gita. Një thënie kjo shumë domethënëse në kohën e shpërndarjes së ndihmave për të prekurit nga tërmeti dhe një thirrje që të mos abuzohet me ndihmat.
Ndërsa për të shigjetuar abuzuesit me lajmet e rreme Rama publikon një thënie nga Imam Aliu ku shkruhet: “Është e pavërtetë kur ju thoni “Unë kam dëgjuar për këtë” dhe është e vërtetë kur ju thoni “unë e kam parë këtë””.
Nga Kurani dhe nga Bibla Rama ka shkëputur dy thënie shumë domethënëse përmes të cilave apelon që njerëzit të ndihmojnë njëri tjetrin.
“Cila është fytyra më e bukur Islamit? Jepu të hanë njerëzve dhe ndihmo të shpëtohen ata që njeh dhe ata që nuk njeh”. Profeti, Kurani.
“Shëroni të sëmurët, ringjallni të vdekurit, purifikoni lebrozët, shpartalloni demonët: ju është dhënë falas, dhuroni falas”. Ungjilli sipas Mateut.
Ndërsa ditën e hënë (sot) e ka nisur me një shprehje të Naim Frashërit të publikuar në librin Mirësija, pjesë e Fletores së Bektashinjve, ku poeti u bën apel njerëzve që të mos e ndyjnë shpirtin dhe të ecin në rrugën e vërtetë.
“Mos e ndy shpirtin ne jetë. Zemërënë mos e lyej, shko në udhëzë të vërtetë. Mos u kthe e mos u thyej”, shkruan Rama duke cituar Naim Frashërin.