Vetëm pak ditë pas vendimit për të shpallur non gratta në Shqipëri të dy diplomatëve iranianë, qeveria shqiptare ka vendosur të mbyllë shkollën iraniane “Saadi” që operonte prej disa vitesh në Tiranë. Shkolla është mbyllur përmes një urdhri të firmosur nga ministrja e Arsimit, Besa Shahini. Në urdhër shkruhet se duhet të ngrihet një grup pune nga Drejtoria Arsimore e Tiranës që të mbyllë brenda 3 ditësh shkollën “Saadi”, ndërsa drejtuesit e shkollës duhet t’u kthejnë pagesat nxënësve, të përgatisin dokumentacionin që ata të regjistrohen në shkollat e tjera dhe të paguajnë për transferimin e tyre. Por në asnjë rast nuk jepet arsyeja se pse mbyllet kjo shkollë e cila është licensuar në vitin 2000.
Pak ditë më herët ministria e jashtme e Shqipërisë dëboi dy diplomatë të ambasadës së Iranit në vendin tonë duke i shpallur ata non gratta. Diplomatët e dëbuar janë Mohammad Ali Arz Peimanemati konsulli i Tretë dhe Seyed Ahmad Hosseini Alast, Konsull Kulturor.
Burime të qeverisë shqiptare, i thanë Zërit të Amerikës se atasheu kulturor Seyed Ahmed Hosseini Alast kishte mbajtur poste të larta në Gardën Revolucionare të Republikës Islamike dhe Mohamed Peimanemati ishte anëtar i njësisë operacionale të inteligjencës së Iranit Mois dhe ishte përgjegjës për disa akte terroriste në vendet e BE-së. Sipas burimeve, ata kishin qenë bashkëpunëtorë të Kasem Soleimanit./realstory.al