Meta për Venecian: Kuvendi monopartiak po tenton kapjen e institucioneve

POLITIKË


Kreu i shtetit ka publikuar sot letrën drejtuar Komisionit të Venecias për Gjykatën Kushtetuese, ku veç përsëritjes së akuzave për Kuvendin dhe kreun e KED, ai ka dërguar dhe disa informacione të cunguara për t’u “shfajësuar” për veprimet e tij në zgjedhjen e një prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese jashtë afatit kohor të përcaktuar me ligj dhe jashtë listës së tre të parëve të renditur nga KED, të përcaktuar në Kushtetutë.

Kërkesën e tij për Venecian, ai e nis me akuzën që sipas tij, institucioni kryesor i keqzbatimit të reformës në drejtësi është pikërisht Kuvendi, tashmë mono-partiak. “Vetëm dy muaj pas Opinionit të Komisionit të Venecias, Kuvendi i drejtohet sërish Komisionit më 30 dhjetor 2019 për një tjetër opinion. Qëllimi i pafshehur i Kuvendit është të tentojë sërish mbulimin e vendimit për shkarkimin e Presidentit nën siglën e Komisionit të Venecias, dhe kapjen politike edhe të Gjykatës Kushtetuese”, shprehet Presidenti i Republikës.


Pasi ai ka përsëritur akuzat për dy KED (2017 dhe 2018) që nuk arritën të mblidhen, që sipas Metës për shkak të presionit të mazhorancës, ai është ndalur dhe te procesi i KED 2019 për renditjen e kandidatëve për Gjykatë Kushtetuese. Një nga argumentet që ngre është fakti se KED përzgjodhi si kandidatë persona që ende nuk e kishin kaluar dhe shkallën e dytë të vettingut, ku përmend emrin e Besnik Muçit dhe Regleta Panajoti. Por, si pa dashje, ai nuk përmend emrin dhe të Marsida Xhaferllarit, e cila në kohën e përzgjedhjes dhe ajo ishte pa e kaluar vettingun në shkallën e dytë, pavarësisht se pas zgjedhjes së saj nga Meta si anëtare e Kushtetueses, u tërhoq nga kjo çështje, duke përfituar nga fakti se anëtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk i nënshtrohen procesit të vettingut, pasi zgjidhen në këtë detyrë.

Ndërkohë, Meta vë në dukje se afati 30 ditor që ai kishte për të zgjedhur anëtarin e Kushtetueses është i përcaktuar vetëm në ligj, ndërsa ai i Kuvendit është i përcaktuar në Kushtetutë, kështu që sipas tij, e drejta e Kuvendit prevalon dhe prandaj është detyruar të pezullojë procesin derisa të shprehet Kuvendi, pavarësisht se kjo procedurë pezullimi nuk është përcaktuar në asnjë ligj.

Por sa i përket pikës më kulminante, atë të zgjedhjes së Xhaferllarit, e cila ishte renditur e katërta në listën e KED, ndërkohë që sipas Kushtetutës, Presidenti duhet të zgjedhë një emër nga tre të parët, Meta nuk jep asnjë argument. Ai mbrohet vetëm me faktin se veprimi i kryer prej tij “nuk është kontestuar nga asnjë prej palëve në asnjë gjykatë”. Por në të vërtetë, Arta Vorpsi, e cila ishte e para në listën ku Xhaferllari u katapultua nga vendi i katërt është ankuar në Gjykatën Kushtetuese dhe ka deklaruar se do e ndjekë këtë çështje deri në Strasburg. Por, Gjykata Kushtetuese ka deklaruar se nuk mund ta shqyrtojë kërkesën e saj, derisa të formohet kuorumi i nevojshëm prej 6 anëtarësh. Pra, pavarësisht se nuk shqyrtohet kjo kërkesë, e vërteta është se ka pasur ankesë për procedurën e Presidentit.

Megjithatë, Presidenti ka ngritur disa pyetje për Komisionin e Venecias, ku vihet re se disa nga pyetjet nuk kanë aq lidhje me Gjykatën Kushtetuese sesa me përplasjen e tij me Kuvendin, të cilin e cilëson monopartiak dhe kërkon që këtë përgjigje të marrë dhe nga Komisioni i Venecias. Realstory.al




Skip to toolbar