Pasi mbrojti Ilir Metën, Rusia sulmon SHBA: Po nxit krijimin e ‘Shqipërisë së Madhe’

AKTUALITET


Rusia është kthyer në rol ‘aktiv’ ditët e fundit në Shqipëri. Pasi e mbrojti Ilir Metën për ‘frymëzimin e presidentit shqiptar nga shkrimtarët rusë’ dhe sulmoi Shtetet e Bashkuara duke përdorur një fjalim të Presidentit të Shqipërisë, Rusia vijon të sulmojë përsëri Amerikën, partneren strategjike të Shqipërisë, që ka rritur rolin e saj muajt e fundit në vendin tonë, duke ruajtur stabilitetin e vendit.

Sulmi ka ardhur nëpërmjet një deklarate të publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Rusisë, ku Moska shpreh shqetësimin për marrëveshjen Shqipëri-Kosovë, në lidhje me unifikimin e misioneve diplomatike dhe konsullore në disa shtete të botës. Këtë akt, Rusia, në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme, e cilëson si “nxitje të krijimit të Shqipërisë së Madhe nga SHBA”.

“Hapat provokues të Tiranës dhe Prishtinës, të cilat janë në harmoni me zbatimin e konceptit të ‘Shqipërisë së Madhe’, paraqesin shqetësim serioz. Ne konsiderojmë se marrëveshje Kosovë – Shqipëri për unifikimin e misioneve diplomatike në vende të treta, e nënshkruar më 2 korrik të këtij viti, është në këtë kontekst”, theksohet në reagimin e Moskës.

“Ne tërheqim vërejtjen se veprimet provokuese të Prishtinës dhe Tiranës nuk janë të rastësishme. Për disa vjet rresht, prej atje janë dëgjuar deklarata rreth integrimit ‘de facto’. Kjo linjë e udhëheqjes në Shqipëri dhe në Kosovë bie ndesh me Rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, minon dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës me ndërmjetësimin e BE-së dhe kërcënon stabilitetin në Ballkan”, theksohet në reagimin rus.

“Ne dëshirojmë të theksojmë se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian preferojnë të mos reagojnë ndaj lëvizjeve të tilla shkatërruese, duke inkurajuar në të vërtetë mendimin e ‘Shqipërisë së Madhe’ që është e dëmshme për rajonin”, thuhet në deklaratën e Moskës zyrtare.

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur dhe Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, i cili e ka cilësuar marrëveshjen e bashkëpunimit në politikën e jashtme mes Shqipërisë dhe Kosovës, si përpjekje për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”.



Skip to toolbar