Pasiguri te 12-katëshi në Lezhë? Lleshaj përplaset me drejtorin e urbanistikës: Mos përhap panik!

AKTUALITET


Ministri i Brendshëm nuk ka kursyer as zyrtarët e bashkive, të cilët përhapin panik pas tërmetit tragjik në vendin tonë, duke i kritikuar ashpër ata që shprehin në publik pasiguri pa fakte konkrete. Gjatë një takimi në Lezhës, ministri Lleshaj ka pasur një përplasje me drejtorin e urbanistikës në këtë bashki, ku është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore, i cili shprehte pasiguri për një pallat të dëmtuar, pavarësisht se nuk ishte bërë asnjë vlerësim nga ekspertët.

Debati ka ndodhur pikërisht në prani të banorëve të një pallati 12-katësh në lagjen “Besëlidhja” ku ministri i ka qetësuar banorët, duke iu thënë se është i sigurt.

Nga ana tjetër në vend ka mbërritur edhe Drejtori i urbanistikës së Bashkisë Lezhë Nik Leka, i cili i ka thënë ministrit në praninë e dhjetëra banorëve se pallati është konsideruar i rrezikshëm, pasi ka çarje trarësh mbajtës, duke argumentuar me faktin se “kështu ka thënë kryetari”. Megjithatë, ai thotë se duhet një ekspertizë më e specializuar. Por ministri Lleshaj nuk e ka lejuar të flasë duke ngritur madje dhe zërin e duke i thënë disa herë ‘stop’.

Debati mes ministrit dhe drejtorit të urbanistikës

Drejtori i urbanistikës: Ministër a mund të sqaroj diçka të lutem. Jam drejtori i urbanistikës. Kemi verifikuar këtë pallat bashkë me kryetarin. Në katin e tretë të banimit, në të katër anët, trarët mbajtës janë të çarë. Kemi sjellë një grup tjetër për ta verifikuar. Na duhet ekspertizë më e specializuar.

Lleshaj: Ti shefi i Urbanistikës. Ti duhet të kesh shumë kujdes kur përhap panik.

Drejtori i urbanistikës: Nuk i kam thënë unë këto fjalë.

Lleshaj: Kush i ka thënë?

Drejtori i urbanistikës: Kryetari vetë (Pjerin Ndreu).

Lleshaj: Po kryetari çfarë është?

Drejtori i urbanistikës: Në gjykimin tonë ishte shumë e rrezikshme.

Lleshaj: Çfarë është kryetari? Përhapni kot me njerëzit. Kjo është xham i gjithi, nuk është thyer një xham bëni budallallëqe kot.

Drejtori i urbanistikës: Situata nuk është e mirë aspak, sepse e kemi verifikuar…

Lleshaj: Stop, stop! Në qoftë se i thua vetes inxhinier, mendohu mirë kur flet!



Skip to toolbar