Patozi: Pse s’ka lajm për zgjedhjet në PS?

POLITIKË


Kreu i Partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi ka reaguar për procesin e ristrukturimit të Partisë Socialiste, e cila sipas tij po kalon pa pasur vëmendjen e duhur mediatike dhe jo sepse ka humbur interesi i qytetarëve, por që partitë politike nuk kryejnë zgjedhje brenda tyre, pasi kryejnë vetëm emërime, duke mos respektuar garën e brendshme.

“Pothuajse po mbyllen zgjedhjet e brendshme të Partisë Socialiste dhe nuk ndjehet të ketë asnjë vëmendje mediatike. Sot lajmi ishte që në takim mungonte Edi Rama dhe jo se çfarë po ndodh realisht me forcën politike, që mban e vetme prej më shumë se dy vjetësh timonin e qeverisë. Mos i kërkoni më kot arsyet tek frekuenca e lartë e ngjarjeve të pazakonta, që ne prodhojmë si shoqëri dhe aq më pak tek shtypi si pasqyrë e deformuar e tyre. Nuk është faji i publikut që njeh edhe detajet më të imta të jetës së Bledian Rrahjes dhe nuk ka asnjë informacion për të ardhmen e partisë më të madhe në vend, sipas zgjedhjeve të fundit”, shprehet Patozi.


Sipas tij, mungesa e lajmit nuk ka të bëjë me zbehjen e interesit të shqiptarëve për politikën në këto vitet e fundit, por se të gjithë e kanë kuptuar se gjithçka është teatër, ndaj edhe nuk kanë asnjë lloj kurioziteti për ta ndjekur shfaqjen. “Në partitë tona nuk bëhen zgjedhje, por emërime, dhe kjo epidemi ka prekur të gjithë sistemin politik. Sepse e njëjta histori vijon më pas me listat e deputetëve, emrat e kandidatëve për kryetarë bashkie dhe me çdo të zgjedhur tjetër në këtë vend”, deklaron Patozi. Sipas tij, është pikërisht kjo arsyeja pse refuzimi për të reformuar sistemin tonë të dështuar politik vjen kryesisht prej aty, ku gravitacioni i pushtetit të kryetarokracisë është më i fortë. Nga shefat e partive kryesore, të cilët sot mund të jenë të gatshëm të zihen për gjithçka në këtë botë, madje edhe për datën, por jo për ruajtjen e statukuosë, për të cilën duket qartë se ka një pakt të heshtur midis tyre.




Skip to toolbar