Presidentja e KE kërkon sërish hapje të negociatave

AKTUALITET


Ursula von der Leyen, presidentja e ardhshme e Komisionit Evropian, ka dalë sërish në mbështetje të hapjes së bisedimeve të pranimit me vendet e Ballkanit Perëndimor, duke u pozicionuar kundër vetos së Presidentit francez, Macron.

Duke folur në Berlin, Von der Leyen tha që Evropa “kishte kërkuar shumë nga Maqedonia e Veriut e Shqipëria dhe ata i kanë përmbushur të gjitha. Tani ne duhet të mbajmë fjalën dhe të fillojnë bisedimet e pranimit”, deklaroi Von der Leyen.


Ajo deklaroi se do të investohet personalisht për të çuar përpara këtë projekt, pasi sipas saj, nëse nuk e bën BE, dikush tjetër do e mbushë këtë boshllëk, duke nënkuptuar Rusinë dhe Kinën. “Unë do të investoj gjithë energjinë time në zhvillimin e projekteve të përbashkëta që do t’i lidhin gjithnjë e më shumë këto vende me ne përmes bashkëpunimit të ngushtë. Nëse nuk e bëjmë këtë, të tjerët do të mbushin boshllëkun, dhe ne nuk duam që kjo të ndodhë”.

Në samitin e BE-së që u zhvillua në datë 18 Tetor, liderët e unionit nuk ranë dakord për hapjen e negociatave pas vetos së Macron, që kërkoi më parë reformimin e BE-së më pas zgjerimin. Madje, Macron ka mbrojtur tezën e tij edhe në vazhdim, duke deklaruar se ai do t’i qëndrojë vendimit derisa të ketë një reformim të vetë BE-së, ku të parashikohen edhe kthimet mbrapsht në procesin e negociatave, kur ka ulje të performancës së shteteve që janë në këtë proces.




Skip to toolbar