Astrit Patozi shkruan të mërkurën se shkaku i krizës së sotme politike është zgjedhja e Ilir Metës President, dy vite më parë.
Ai risjell në vëmendje një postim të vetin shkruar më 29 prill të 2017 dhe ku sqaron se pse nuk u nxitua të urojë Metën për zgjedhjen e tij në postin e presidentit të republikës. Sipas tij zgjedhja e Metës në krye të shtetit ishte e sforcuar nga loja e PS-së, ku të gjitha partitë bënë të kundërtën e asaj që donin.
“Kisha dy arsye pse nuk u nxitova dje të “uroj” Presidentin e sapozgjedhur, Ilir Metaj. E para, se prita radhën…Dhe më e rëndësishmja, se nuk doja ta prishja solemnitetin e gëzimit të atyre që e çuan, si duke e mbajtur në barrelë drejt majës së shtetit, por edhe merzinë e atyre që u zhgënjyen nga zgjedhja e tij, pasi kishin pritur diçka tjetër.
I vetmi që kishte një arsye për ta mbështetur dje në parlament ishte Ben Blushi, por pikërisht ai votoi kundër. Dhe arsyeja e vetme ishte se ata të dy kanë qenë shokë gjimnazi.
Të gjithë të tjerët, bënë të kundërtën e asaj që donin. LSI votoi me shpirt ndër dhëmbë, se ua kishte futur Edi Rama. Ndërsa Partia Socialiste votoi me inat sikur po firmoste, jo për zgjedhjen, por për internimin e Ilir Metës.
Ky është presidenti që duam, në Shqipërinë që duam, me policinë që duam, me drejtësinë që shumë shpejt do ta duam…prej “Rilindjes” që aq shumë e deshëm dhe e duam…
Mbetet për t’u konsumuar vetëm akti i fundit, nëse do të kemi apo jo edhe opozitën që duam…”, shkruante Patozi dy vite më parë.
Ndërsa sot apelon që të mos çuditemi me krizën pasi ajo nisi që para dy vitesh me zgjedhjen e Metës president.
“Për ata, që sot po çuditen shumë me përshkallëzimin e pashembullt të konfliktit të Presidentit të Republikës me shumicën qeverisëse, në pozitat e popullit të lënduar nga papërgjegjësia e kreut të shtetit.
Apo dhe për të tjerë që kanë ndërruar pozicionin, koalicionin apo qoftë edhe vetëm interesin, për shkak të hallit të ri, në krahasim me atë të dy vjetëve të shkuara.
Natyrisht, edhe për ata, që janë gati ta pranojnë si Mesian e tyre, të njëjtin person, të cilin para pak kohësh e konsideronin si shefin e një organizate të rrezikshme kriminale.
Nuk keni pse çirrni faqet dhe mos bëni sikur po përjetoni fundin e botës, se ai nuk ka mbërritur ende dhe nuk ka për të ardhur ndonjëherë në Shqipëri.
Thjesht për t’ju freskuar kujtesën, po ju ftoj që të lexoni diçka të shkurtër, që kam shkruar më 29 prill 2017, me rastin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, Ilir Metaj.
Konsiderojeni këtë si një ndihmesë modeste për të shpjeguar krizën dhe për të njohur më mirë shkaktarët”, shkruan Patozi.